Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTASHBA-ja mohon se ka nxitur protestat në Serbi

SHBA-ja mohon se ka nxitur protestat në Serbi

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se çdo pohim që Shtetet e Bashkuara mbështesin protestat antiqeveritare në Serbi “është i rremë”.

“Nuk na befason që Rusia, përkundrazi, ka instrumentalizuar protestat për të ndjekur agjendën e saj në Serbi, siç bën në mbarë botën”, tha DASH-i për Radion Evropa e Lirë më 17 gusht.

DASH u përgjigj në kërkesën e REL-it që të komentonte akuzat e bëra nga autoritetet në Serbi dhe Rusi, që kanë fajësuar shtetet perëndimore – pa përmendur ndonjë me emër – për nxitjen e protestave që së fundi u organizuan nga aktivistët mjedisorë, të cilët po kërkojnë ndalimin e minierave të litiumit.

Mijëra persona morën pjesë në protestat e organizuara kundër planeve të Qeverisë që të nxjerrë depozita të litiumit, në një prej minierave më të mëdha në Evropë për këtë material që është krucial për prodhimin e baterive për makinat elektrike.

Moska ka akuzuar Perëndimin se qëndron prapa protestave, ndërkaq zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, ka falënderuar agjencitë ruse të sigurisë për “paralajmërimin e udhëheqjes serbe lidhur me përgatitjet e trazirave masive dhe për një tentim grusht shteti”.

DASH-i tha se “dihet” qëndrimi i SHBA-së për Vulinin. Më 2023, Vulin u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të lidhjeve të ngushta të tij me Kremlinin.

Në përgjigjen dërguari REL-it, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “protestat paqësore dhe e drejta e qytetarëve për protestë dhe për shprehje të lirë janë pjesë e rëndësishme e demokracisë”.

Gjatë protestave është kërkuar ndalimi i projektit për nxjerrjen e litiumit nga Rio Tinto, në Jadar, në perëndim të Serbisë, teksa protestuesit kanë shprehur drojën se kjo mund të shkaktojë ndotjen e tokës dhe ujit që gjendet afër minierës.

Më 2022, Qeveria serbe refuzoi këtë projekt pas protestave masive dhe shqetësimeve lidhur me ndikimin që mund të ketë në mjedis.

Por, Qeveria e riktheu këtë plan në korrik, pas 16 vjetësh, disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese serbe tha se Qeveria kishte vepruar në mënyrë jokushtetuese kur kishte revokuar lejet për minierën Rio Tinto.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME