Shkullaku: Intervista me Karçanajn nuk i shërbeu publikut, pse Duma se pyeti nga e mori shtëpinë

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar mënyrën e zhvillimit të intervistës së Grida Dumës me Mirlinda Karçanaj në TCH.
Shkullaku u shpreh se duhet bërë dallim mes çështjeve të ndryshme, duke theksuar se mënyra se si mbrohen apo trajtohen figura të ndryshme publike tregon, sipas tij, edhe raportin me përgjegjësinë apo dyshimet për to.
Gazetari theksoi gjithashtu se detyra e medias është të ushtrojë presion për transparencë dhe të sigurojë që pyetjet thelbësore të adresohen, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për hetime apo akuza të rënda penale.
Shkullaku theksoi se Duma nuk i bëri dot Karçanajt as pyetjen elementare, se e kujt ishte shtëpia që ajo mori?
‘Janë dy çështje të ndryshme.
Si mbrohet Karçanaj, Belinda, Berisha, Arben Ahmetaj është një çështje tjetër. Unë këtë thashë pra, teknologjia se si mbrohen ata, tregon për mua raportin me fajin dhe me krimin.
Ajo që ka të bëjë me intervistuesin, nuk ka lidhje fare se çfarë do të thoshte Mirlinda. Ajo që ka të bëjë me intervistuesen, Grida Dumën, në këtë rast, ka të bëjë me një fakt shumë të thjeshtë, që ne në zanatin tonë nuk mund të pranojmë, qoftë edhe me koston që doli keq apo mirë Karçanaj, që një intervistë të bëhet në kundërshtim me interesin publik.
Sepse interesi publik, në qoftë se merr vesh që kompania më e madhe, njësia më e madhe shtetërore që merr miliarda euro dhe që ka në dorë të gjithë të dhënat tona, drejtohet nga një bandë e organizuar kriminale, publiku ka interes të dijë deri ku shkon.
Këta akuzohen për grup të strukturuar kriminal. Mirlinda, Gys Agasi, Ermal Beqiri e kështu me rradhë. Dhe po të them, në qoftë se këta akuzohen për një gjë të tillë, unë, ndryshe nga ty, nuk kam interes të di sa fëmijë ka Mirlinda dhe kur është ndarë me burrin.
Unë kam interes të di si ka bashkëpunuar ajo, nëse është e vërtetë sipas SPAK-ut, me një organizatë të caktuar kriminale, të cilët marrin biznesmenë peng, vënë gjoba dhe vjedhin lekët e mia.
Kjo nuk u realizua se këtë e di unë që nuk u realizua mor burrë, ti e thua sikur e zbulove. Që nuk u realizua e dimë. Puna është pse nuk u realizua?
Dhe unë them që si gazetar, ne kemi të drejtën të themi që çdo gazetar, çdo koleg, ti, unë, tjetri, duhet patjetër t’i bëjmë presion që kur ka mundësi, punën e vet ta bëjë ashtu siç duhet.
Dhe pyetja është, që prapë nuk do t’i japësh përgjigje, Grida Duma e bëri punën e gazetares në atë emision apo nuk e bëri? Se si doli Mirlinda, doli mirë, doli keq, këto janë muhabete, rrimë deri në mëngjes dhe vazhdojmë.
Çështja është që vidhet, fshihet vjedhja dhe bëhen intervista dhe debate pikërisht për të mbuluar këtë vjedhje. Për t’i servirur publikut lot dhe çyrre dhe për ta zhvendosur nga banda kriminale.
Dhe nuk ka gazetar në botë që nuk i bën pyetjen e thjeshtë asaj tjetrës që e kujt është shtëpia që more? Kush ta dha këtë shtëpi? Kush ta dha? Kaq’, theksoi Armand Shkullaku në SYRI TV.











