Skandal në Marok: Shoferi i taksisë ekspozohet duke mashtruar turistet britanike

Një video e publikuar nga dy turiste britanike ka zbuluar një skemë mashtrimi të turpshme nga një shofer taksie në Agadir të Marokut, duke ndezur zemërim publik dhe duke çuar në arrestimin e tij për mashtrim dhe shkelje të besimit.
Pamjet tregojnë momentin kur shoferi, pas mbërritjes në hotel, akuzon turistet për mospagim të plotë të tarifës. Ai i tregon paratë që i kanë dhënë, por kamera kap qartë një kartëmonedhë prej 200 dirhamësh (~15 £) të fshehur nën automjetin e tij – një përpjekje për të mashtruar dhe detyruar gratë të paguajnë më shumë.

Ndërsa turistet përballen me të, ai bëhet gjithnjë e më agresiv, por përpiqet të kërkojë më shumë para deri sa njëra prej grave e vëren paratë e fshehura poshtë makinës. Në kaos, shoferi i kap paratë dhe largohet me shpejtësi ndërsa turistet i bërtasin: “Do ta denoncojmë në polici!” dhe “Po na vjedh!”

Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, autoritetet marokene e arrestuan shoferin, ndërsa çështja është kthyer në skandal kombëtar, duke bërë jehonë edhe në televizionet kombëtare. Ngjarja ka ringjallur shqetësimet për sigurinë e turistëve dhe mungesën e rregullimit në sektorin e taksive private.

Ky incident vjen pas rasteve të tjera të ngjashme, përfshirë atë të YouTuber-it nga Uellsi, Simon Wilson, i cili dokumentoi mashtrimin e tij nga një taksist në Marrakech më 2023. Edhe ai u ngarkua me një çmim pesëfish më të lartë se tarifa zyrtare dhe i ishte kërkuar “bakshish” për një shërbim të zakonshëm. Shoferi i tij përfundoi me heqje të licencës dhe arrestim.

Javën e kaluar, një tjetër video e dhunshme e një taksisti që sulmoi dy gra në rrugë në Agadir nxiti reagime të forta. Burri, rreth të 40-ave, u arrestua ndërsa përpiqej të largohej nga qyteti.

Reagimi lokal ka qenë i ashpër. Banorët dhe figura publike kanë shprehur zemërim për dëmtimin që i bëhet imazhit të Marokut si destinacion turistik dhe kanë kërkuar më shumë ride-sharing apps si alternativë ndaj taksive private, të cilat po akuzohen për rritje të rasteve të mashtrimit dhe dhunës ndaj vizitorëve.

Ngjarja ndodh pak javë pas një tjetër tragjedie me dy turiste britanike që humbën jetën në një aksident automobilistik në Agadir, duke shtuar edhe më tej pasiguritë që po përballen vizitorët në qytetin bregdetar të njohur.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të analizuar rastin dhe për të përforcuar masat ndaj shoferëve abuzivë. Skandalet e fundit kanë ndezur një thirrje të gjerë për reformë, për të rivendosur besimin dhe sigurinë për turistët në Marok.