Nga Mallakastra XHEMIL BEHARAJ – Kjo ishte uzina e përpunimit të naftës në Ballsh! Jeta e çdo banori të qytetit, madje vet qyteti, nisi të quhet i tillë kur nisi dhe ndërtimi i uzinës…
Gjatë 30 viteve demokraci, uzina e Ballshit ishte nga të paktat industri të rënda që mundi t`i mbijetonte tallezeve të tranzicionit të vështirë, por dhe mbijetesa kishte një fund! Një vit më parë, uzina jo vetëm që nuk përpunonte më asnjë litër naftë, por u dërgua për skrap, duke sjellë pasoja direkte edhe në ekonominë e një qyteti të tërë.
Mjafton të kalosh në disa nga rrugët e qytetit të Ballshit, për të parë dëshmitë e gjalla të shpopullimit! Qepena të mbyllur dyqanesh, e biznese pafund të nxjerrë në shitje apo me qira. Fakt e dëshmi më dramatike për një qytet që së shpejti rrezikon të mos ketë as markete, vështirë se mund të gjesh diku tjetër.Në qytet, ashtu si kudo tjetër, kanë mbetur vetëm të moshuar! Të rinjtë, ata pak që ndjekin ende gjimnazin, presin me padurim të largohen nga Ballshi, e të ardhmen e shohin në emigrim.
Po përse është kjo situatë?
Qytetarët e lidhin shpopullimin e ballshit me mbylljen e uzinës së naftës, e cila dikur, punësonte mbi 1 mijë persona, ose thënë ndryshe, pothuajse një pjesëtar të çdo familje në Ballsh.
Shpopullimi dhe varfëria janë dy fenomene që plotësojnë njëri-tjetrin. Pasoja direkte e të dyve, është padyshim goditja ndaj biznesit. Në Ballsh, fuqia blerëse është në kufijtë e mbijetesës. Këtë e dëshmojë mësëmiri listat e gjata të borxheve, që familjet kanë nëpër dqane e markete.
Ky qytetar është pronar i një marketi, i cili tregon se në fletoret e tij, ka familje që kanë deri në 1.6 milionë lekë të vjetra borxhe pa shlyer.
Por teksa ky biznes ende i mbijeton kohës, siç treguam më shitje, qindra biznese të tjera kanë falimentuar brenda pak kohësh. Të dhëna jo zyrtare, tregojnë se në Ballsh para nisjes së pandemisë kishte së paku 500 biznese aktive, ndërsa sot, më shumë se 200 prej tyre janë mbylluar apo kanë falimentuar.
Gjatë viteve të fundit Ballshi është përfshirë nga lëvizje të mëdha demografike. Banorët e hershëm të qytetit, ata që dikur punonin në industrinë e naftës, janë larguar ndërsa qyteti është populluar nga banorë të ardhur nga fshatrat.
Me këto ritme shpopullimi, Ballshi shumë shpejt do të duket një qytet fantazmë, ku dëshmitë e të shkuarës, do të duhen të arkivohen thjesht për të treguar në të ardhmen se si një qytet pati jetë vetëm për disa dekada…/XHemil Beharaj/ ALB365/