
Lëvizjet e fundit të Elisa Spiropalit po nxisin spekulime për një distancim të saj nga drejtimi i Partisë Socialiste. Sipas burimeve të mediave, ish-ministrja e Jashtme ka marrë me qira prej disa javësh një ambient në një zonë të frekuentuar të ish-Bllokut.
Burimet pretendojnë se në katet e sipërme të ndërtesës është ngritur një zyrë, ku gjatë javëve të fundit janë parë të hyjnë dhe të dalin disa ish-ministra të qeverisë Rama, të cilët aktualisht janë deputetë të grupit parlamentar socialist. Takimet kanë shtuar aludimet se Spiropali po ndërton një qendër të re komunikimi politik jashtë strukturave zyrtare të partisë.
Zërat për një ftohje të marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama janë shtuar pas zhvillimeve të fundit politike. Qëndrimet publike të Spiropalit në rrjetet sociale, si edhe mungesa e saj në seancën parlamentare ku socialistët mbështetën Belinda Ballukun, janë interpretuar nga analistë dhe media si shenja të një distance në rritje me lidershipin e PS-së.
Ky perceptim është forcuar edhe pas largimit të saj nga posti i ministres së Jashtme, një moment që shumë e konsiderojnë si pikë kthese në karrierën e saj politike. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Spiropali që të konfirmojë ekzistencën e një grupimi apo nisme kundër drejtimit aktual të partisë.
Për momentin, gjithçka mbetet në nivel raportimesh dhe interpretimesh politike. Nëse zyra e re do të shërbejë thjesht si një hapësirë pune apo do të kthehet në qendër të një riorganizimi politik brenda socialistëve, kjo pritet të bëhet më e qartë në zhvillimet e ardhshme.









