Studimi/ Zbulohet misteri i vijave të errëta në Mars

Vijat e errëta enigmatike në shpatet e planetit Mars nuk janë shenja uji. Ky është përfundimi i një analize të kryer nga një grup kërkimor i udhëhequr nga Universiteti Amerikan Brown dhe Universiteti Zviceran i Bernës, botuar në revistën Nature Communications. Analiza, duke përdorur inteligjencën artificiale, shqyrtoi rreth 86 000 imazhe satelitore dhe sugjeroi që vijat e errëta mund të shkaktohen nga era dhe rrëshqitja e shkëmbinjve.
Të vërejtura për herë të parë në vitet 1970 nga misionet e para “Viking”, në Mars u panë disa vija të errëta enigmatike, dhjetëra metra të gjata, të quajtura “linja të pjerrësisë përsëritëse”, të cilat ngjajnë me mbetjet e rrjedhave të ujit të lëngshëm. Vija që mund të shfaqen papritur ose të shtrihen për dhjetëra metra në një kohë të shkurtër. Megjithatë, planeti është një shkretëtirë e madhe dhe e ftohtë dhe deri më tani nuk janë gjetur gjurmë uji të lëngshëm, përveç pranisë së mundshme të disa liqeneve të mëdha nëntokësore. Por sipas disa studiuesve, atje mund të ketë kushte të caktuara në të cilat sasi të vogla uji të lëngshëm, të pasura me kripë, mund të arrijnë sipërfaqen dhe të fillojnë të rrjedhin në tokë, duke prodhuar këto shenja të errëta enigmatike që shfaqen veçanërisht në disa rajone.
Për të hedhur dritë mbi këtë fenomen, studiuesit tani janë mbështetur në një algoritëm të inteligjencës artificiale, të cilit i kërkuan të krahasonte imazhet e vijave të errëta me një përzierje shumë të pasur të dhënash, siç janë temperatura, shpejtësia e erës, hidratimi ose aktiviteti sizmik. “Pastaj ishim në gjendje të kërkonim korrelacione në qindra mijëra raste për të kuptuar më mirë kushtet në të cilat formohen këto karakteristika”, – tha Valentin Bickel i universitetit zviceran. Analizat tregojnë se vijat nuk shoqërohen përgjithësisht me ujin, por formohen në vende me shpejtësi ere dhe depozitim pluhuri më të lartë se mesatarja, vende ku formimi i vorbullave të pluhurit ose rrëshqitjeve të vogla të dheut është gjithashtu më i zakonshëm. Sipas autorëve, shenjat mund të jenë prodhuar nga rrëshqitja e shkëmbinjve të vegjël përgjatë shpateve dhe jo nga rrjedhjet e ujit