Nga Mal Berisha-
Këto ditë nëpër rrjetet sociale përmendet emri i aktorit tonë të madh Mirush Kabashi. Lajmin e rremë për jetën e tij ai e sfidoi vetë me atë performance të shkelqyer në natën finale të Festivalit Kombëtar të Këngës në RTSH.
Duke e konsideruar veten time një mik të tij që prej viteve ’80, dua të sjell dy shembuj të ngjashëm të dy njerëve të mëdhenj dhe cfarë notash humori shkaktojnë gënjeshtra të tilla.
1.- Ambasadori Amerikan, Herman Bernstein.
2.- Shkrimtari i Madh Amerikan, Mark Tuen.
Herman Bernstein njoftohet në Amerikë se ka vdekur
“Dje mora një letër nga Amerika, e cila njoftonte dorëheqjen time nga detyra e Ministrit në Shqipëri. Megjithëse lajmi ishte i vërtetë, kryelajmi ishte se unë kisha vdekur. Z Perry, Drejtor i Komitetit Kombëtar të Edukimit në Radio, në Washington më shkruante pak a shumë si më poshtë:
“Më erdhi shumë keq, kur pashë dje në gazetë se keni vdekur. Më erdhi keq që dhatë dorëheqjen nga një post, që e keni mbajtur me aq dinjitet, por të dorëhiqeni dhe të vdisni, kjo është tej mase keq. Unë shpresoj se e keni gjetur jetën e përtejme të këndshme dhe që ne do të kemi kënaqësinë të takohemi përsëri, pasi të ktheheni në New York dhe të na tregoni për atë”.
Përgjigjja e Bernsteinit ndaj letrës së z. Perry ishte:
“Në fakt u ndjeva i lumtur, kur mora atë letër që ma dërgonit prej asaj bote. Nëse kjo qenka bota e përtejme, mua nuk më tmerron fare. Përkundrazi, unë po i gëzohem shumë. Qenka lezetshëm këtu. Trëndafilat kanë shpërthyer përsëri dhe malet kanë marrë ngjyrë të purpurt nën rrezet e diellit, që po perëndon. Ky njoftim për dorëheqjen dhe vdekjen time më englendisi shumë. Edhe Mark Twain e ka pasur këtë kënaqësi, të raportohej i vdekur, thjesht pse kishte rënë nga kali në Malet Catakill.”
Besoj se edhe Mirush Kabashi ndjehet i lumtur këto ditë, pasi vëren se sa shumë miq e duan atë.