“Toskana shqiptare” drejt shuarjes, fermerët e Kurjanit braktisin vreshtat nga 100 hektarë kanë mbetur 5.

Rroskovec – Të lënë pa mbështetje dhe pa orientim nga shteti, fermerët e fshatit Kurjan në Roskovec po braktisin një nga traditat më të hershme të zonës, vreshtarinë, duke e zëvendësuar me kulturën e ullirit. Një zonë që dikur kryeministri Edi Rama e quajti “Toskana shqiptare”, sot po sheh dita-ditës zhdukjen e hardhive dhe rrënimin e fermerëve që për dekada jetuan nga prodhimi i rrushit, verës dhe rakisë.
Dikur pothuajse i gjithë territori i Kurjanit ishte i mbjellë me vreshta, duke e kthyer këtë kulturë në shtyllën kryesore të ekonomisë lokale. Nga rreth 100 hektarë me vreshta që kultivoheshin vite më parë, sot kanë mbetur vetëm 5 hektarë, ndërsa numri i fermerëve që vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë traditë është reduktuar në vetëm pesë persona.
Njëri prej tyre është fermeri Eshref Toro, i cili prej 32 vitesh merret pa ndërprerje me kultivimin e vreshtave. Ai thotë se situata është bërë e papërballueshme për shkak të çmimit të ulët të shitjes së rrushit, mungesës së tregut, stokut të pashitur të verës dhe rakisë, si dhe subvencioneve të pamjaftueshme.

Sipas tij, shumë banorë janë detyruar të heqin dorë nga vreshtaria pasi nuk arrijnë të mbulojnë as kostot minimale të prodhimit. Ai shprehet se dikur Kurjani njihej në të gjithë zonën për cilësinë e rrushit dhe verës, ndërsa sot hardhitë po priten njëra pas tjetrës.
Përballë të njëjtave problematika, fermeri Qamil Kuka tregon se u detyrua të braktiste tërësisht vreshtarinë dhe ta zëvendësonte gjithë sipërfaqen me ullinj. Ai shprehet se shpenzimet për mirëmbajtjen e vreshtave ishin shumë të larta dhe fitimi pothuajse inekzistent.

Sipas tij, mungesa e tregut dhe e mbështetjes konkrete nga institucionet bëri që prerja e hardhive të ishte e vetmja zgjidhje për të mos falimentuar plotësisht.
Edhe fermeri Astrit Abedini rrëfen se traditën e trashëguar ndër breza u detyrua ta lërë mënjanë. Ai tregon se dikur zotëronte një sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta, ndërsa sot ka mbetur vetëm me një dynymë, më shumë për kujtim sesa për fitim ekonomik.
“Vreshtaria nuk mbahet më. Nuk ka treg, nuk ka ndihmë dhe çdo vit po bëhet më e vështirë”, shprehet ai.

Fermerët kujtojnë se në sistemin e kaluar rreth 80% e territorit të Kurjanit ishte e mbjellë me vreshta dhe prodhimi vjetor arrinte në qindra tonë rrush. Sot, ajo traditë që dikur i dha identitet dhe zhvillim ekonomik zonës, është drejt shuarjes.
Ata thonë se çdo ditë e më shumë ndihen të harruar nga shteti dhe paralajmërojnë se, nëse mungon mbështetja konkrete për bujqësinë dhe vreshtarinë, shumë shpejt Kurjani do ta humbasë plotësisht historinë e tij si një nga zonat më të njohura të prodhimit të rrushit dhe verës në vend./ ALB365











