U-21, Apolonia shpallet kampione e edicionit 2024-25

Apolonia U-21 është ekipi kampion i Superligës U-21 për këtë edicion, duke lënë pas Bylisin U-21 me një pikë më pak.
Apolonia U-21 është ekipi kampion i Superligës U-21. Vendi i parë u vendos në ndeshjen e javës së fundit ndaj Bylisit, e cila përfundoi me një barazim 1-1.
Ky barazim ishte vendimtar, pasi fierakët arritën të mbyllin edicionin me një pikë më shumë se kundërshtarët e tyre, duke grumbulluar 50 pikë dhe duke renditur të parët në tabelë, ndërsa Bylisi përfundoi i dyti me 49 pikë.
Të dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë. Apolonia zhbllokoi rezultatin përmes Erald Maksutit, ndërsa Bylisi barazoi në fundin e takimit me Aurel Markun dhe sfida përfundoi 1-1.
Pas ndeshjes, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit kampion nga FSHF, ku Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, Ilias Haxhiraj, i dorëzoi trofeun dhe medaljet futbollistëve të Apolonisë.