Kanë dalë dje para Gjykatës së Thesprotisë, dy policë grekë dhe biznesmeni nga fshati Shalës i bashkisë Konispol, të arrestuar të premten pas një operacioni antidrogë në Igumenicë ku u sekuestruan 102 kg marijuanë. Droga u kap në automjetin e sektorit të antidrogës së Igumenicës, të drejtuar nga oficeri 41-vjeçar Kostantinos Nakos dhe me pasagjer biznesmenin 41-vjecar nga fshati Shalës i Konispolit, Arben Murto.
Ata nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por u kapën pasi u përplasën me 3 automjete të parkuara. Bashkë me ta u arrestua edhe oficeri Dimitrio Oikonomou, 50 vjec, pasi në momentin e kapjes së mjetit me drogë, ai duhet të ishte në shërbim bashkë me kolegun e tij Nakos, por u gjet në një lokal në Sajadhë, pranë kufirit.
Në seancën e djeshme, Arben Murto është shprehur se besonte se po merrte pjesë në një operacion zyrtar të policisë. Ai pohoi se me këtë Konstantino Nakon ka pasur bashkëpunim nga e kaluara dhe në fakt, sipas informacioneve që ai ka dhënë, në të kaluarën janë identifikuar sasi të mëdha droge dhe trafikantët e saj. Në këtë kuadër, ai besonte se edhe të premten e kaluar po merrte pjesë në një operacion të ligjshëm policor për lokalizimin dhe sekuestrimin e sasisë së drogës.
Oficeri i policisë Konstantino Nakos, para Gjykatës ka pretenduar se është përdorues kokaine dhe madje prej kohësh. Kjo varësi e çoi atë në transportin e veçantë të një sasie të madhe marijuane. Bazuar në të njëjtat informacione, ai ka kërkuar ekspertizë për të vërtetuar përdorimin e kokainës që pretendon.
Ndërsa oficeri Dimitrio Oikonomou pretendoi se nuk dinte asgjë për veprimet e kolegut të tij. Natën që ata ndanë një shërbim, ai i tha se do të largohej për një kohë për ndonjë punë personale. Ai nuk dyshoi për ndonjë gjë të çuditshme dhe kjo ka qenë arsyeja që ka lënë edhe armën e shërbimit brenda automjetit. Madje ai pretendoi gjithashtu se Nako u largua nga lokali pas një debati verbal me klientë të tjerë aty.
Në përfundim të seancës Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Arben Murton e Konstantino Nakon dhe masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur 2 herë në muaj”, “garanci pasurore” 8000 euro dhe “ndalim dalje jashtë vendit” për Dinitrio Oikonomou.