Ushqimet që përmbajnë probiotikë dhe pse është e rëndësishme t’i përfshijmë ato në dietë

Probiotikët, të njohur si “baktere miqësore”, po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet për shkak të përfitimeve të shumta që sjellin për shëndetin, veçanërisht për sistemin tretës. Specialistët theksojnë se pasurimi i dietës me ushqime që përmbajnë probiotikë ndihmon në forcimin e imunitetit, përmirësimin e tretjes dhe ruajtjen e një ekuilibri të shëndetshëm të mikroorganizmave në trup.
Probiotikët janë mikroorganizma të gjallë, zakonisht baktere dhe maja, që kur merren në sasi të mjaftueshme, ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të mikrobiomës së zorrëve. Ky ekuilibër ndikon jo vetëm në tretje dhe imunitet, por edhe në mirëqenien mendore. Shumica e probiotikëve i përkasin gjinive Lactobacillus dhe Bifidobacterium, që gjenden shpesh në ushqimet e fermentuara. Marrja e rregullt e tyre ndihmon në uljen e simptomave të urthit, trajtimin e diarresë pas antibiotikëve dhe përmirësimin e funksionit të zorrëve.
Ndër burimet më të njohura të probiotikëve është kosi, i cili ndihmon në rivendosjen e florës bakteriale dhe lehtëson tretjen, sidomos për personat me intolerancë ndaj laktozës. Kefiri, një pije e fermentuar me qumësht, përmban edhe më shumë mikroorganizma të dobishëm dhe është i pasur me kalcium, magnez e vitaminë K.
Një tjetër burim i fuqishëm probiotikësh është lakra turshi, e cila përmban gjithashtu vitamina C dhe K, ndërsa ndihmon në balancimin e mikroflorës së zorrëve. Kimçi, gatimi tradicional korean, është i pasur me probiotikë, vitamina dhe fibra që ndihmojnë në përmirësimin e tretjes.
Po aq e vlefshme është edhe pasta miso, e cila përveç probiotikëve përmban minerale si zinku dhe bakri, si dhe vitamina të grupit B. Tempeh, një produkt i fermentuar nga soja, është alternativë e shëndetshme për vegjetarianët, pasi ofron proteina, kalcium dhe antioksidantë.
Ndërkohë, kombucha, pija e fermentuar nga çaji, është bërë një zgjedhje e njohur për ata që kërkojnë një mënyrë freskuese për të rritur marrjen e probiotikëve.
Ekspertët theksojnë se përfshirja e rregullt e ushqimeve të pasura me probiotikë në dietën e përditshme mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin e sistemit tretës dhe atij imunitar, duke ndihmuar trupin të ruajë ekuilibrin e nevojshëm për funksionimin optimal të organizmit.









