Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESORE”VDES PËR TY, PO ...”

”VDES PËR TY, PO …”

Nga Thoma Goga – Me rastin e Shën Valentinit

Keni parë një dukuri të re? Është publiciteti falas nëpër fasada muresh, bordure betoni apo rrethime llamarinash. Çfarë nuk lexon?! Duhet të ketë durim derri ai që i shikon: “riparojmë divane”, “qepim fustane”, bojaxhi pa hile”, “shesim metrazhe me kile”, “mbledhim hekurishte”, “riparojmë kadishte” etj.etj… Pastaj “parakalojnë” numrat e telefonave.

Sot që është Shën Valentini, m’u kujtuan dhe mesazhet “rozë”. Ato janë si qershia mbi tortë. Të “përvëluarit” nuk durojnë dot dhe shkruajnë vend e pa vend. “Të dua zogu im”, “Ti je jeta. Të pres sot në ora 5”, “Ku je o ylli im, po më çahet zemra?” dhe zografis një si punë zemre. Sikur të mos mjaftonin fjalët, bën dhe një shigjetë që e çanë tej e tej. Edhe zemra edhe shigjeta me të zezë, se s’kishte bojë tjetër.

Ca nga këto xhevaire i gjen edhe poshtë nënkalimit te kopshti zoologjik. I kam parë me sytë e mi, se aty kaloj përditë. Ka edhe në vende të tjera. Besoj se edhe juve u kanë rënë në sy.
Një herë mendova ta kaloja me sportivitetin që të krijon humori i rrugës. Po sebep që të hidhja këto rreshta, u bë një bisedë midis dy të rinjve në autobusin e linjës.

Djali: E lexove mesazhin që të kam shkruar?
Vajza: Ku, në telefon?
Djali: Jo, jo. Te ajo faqja e murit poshtë urës. Të kam lënë dhe orën e takimit.
Vajza: Po e pashë edhe atë. Erdha dhe të prita. Ku ishe?
Djali: Edhe unë erdha. Sa shumë të prita! Pse nuk dole?
Vajza: Ore, te cila urë më prite?
Djali: Te pallati me shigjeta. Se këtë mesazh e kam shkruar edhe në 4 vende të tjera. Aty do të gjesh edhe një pikturë të veçantë…
Vajza: Po unë nuk jam me 4 kopje. Megjithatë do ta shoh kur të kthehem…

Sipas vëzhgimit dhe “memo”-s që ka bërë një “patronaz(h)iste, thuhet se vajza paska shkuar më herët te ai vendi dhe ka lexuar: ”Unë vdes për ty?”. Po pak më lartë, një dorë tjetër kishte shkruar: “Ti je vrastare, tradhtare, kurvare…!”. Mbase nuk kishte lidhje me këtë, po vajza e bëri “detyrën”. La shënimin e saj që ta lexonte jo vetëm “zemra e çarë”. Pastaj kishte ikur. Sipas një patronaz(h)isti në turnin e dytë, jarani kishte shkuar fiks në orën 5, për të qënë “korrekt”. Ishte bërë ujë në djersë. Kishte vrapuar si i marrë. E nën mesazhin e tij, lexoi përgjigjen e vajzës me gërma të mëdha: GOMAR…

Mirëpo këto shkarravina janë shtuar vend e pa vend. Besoj dhe ju i keni parë. Kjo tregon se nuk qenka vetëm një gomar…

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME