Vjosa rrit prurjet, banorët: “Rrezikojmë të humbasim gjithçka për pak minuta”. (foto)

Fier – Rritja e prurjeve shkakton dëme të reja, banorët e Kashishtit në alarm. Lumi u ka shkuar tek themelet e shtëpive dhe bizneseve.
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm prurjet e lumit Vjosa, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës dhe rrëmbim të sipërfaqeve bujqësore e pemëve në fshatin Kashisht, njësia administrative Frakull. Për banorët, situata është tejet e rëndë, pasi lumi ka avancuar rrezikshëm drejt banesave.
Banorët: “Lumi është vetëm 10 metra larg shtëpive tona”








Familjet që jetojnë pranë brigjeve të lumit thonë se frika është e përditshme. Ata tregojnë se një dalje minimale e Vjosës nga shtrati do të mjaftonte që uji të përpinte shtëpitë, bizneset dhe tokat e tyre brenda pak minutash.
“S’kemi asnjë mbrojtje. Penelet e para 10 viteve i mori lumi sepse ishin bërë me cilësi të dobët. Tani rrezikojmë të mbetemi pa banesa,” – shprehen banorët.
Paralajmërimet e autoriteteve: vetëm kujdes dhe monitorim
Sipas banorëve, drejtuesit e njësisë administrative i kanë njoftuar të ndjekin situatën me kujdes, por kjo nuk i qetëson aspak.
“Nëse del lumi nga shtrati, pasuria jonë zhduket brenda minutave. Vetëm njoftime nuk na duhen, por masa konkrete,” – shprehen ata të shqetësuar.




Reagimi i njësisë administrative Frakull
I kontaktuar nga alb365, drejtuesi i njësisë administrative Frakull, Emiljano Braka, konfirmoi se situata është në monitorim të vazhdueshëm. Ai deklaroi se janë bërë kërkesa zyrtare për ndërtimin e peneleve të reja mbrojtëse dhe se aktualisht pritet miratimi i buxhetit për ndërhyrjen.
“Njoftimi u është bërë banorëve. Ne kemi kërkuar ndërtimin e peneleve dhe jemi në proces miratimi të buxhetit,” – tha Braka.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Mes frikës dhe pasigurisë, banorët e Kashishtit i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë sa më shpejt për ndërtimin e mbrojtjeve të reja, përpara se Vjosa të shkaktojë dëme të pariparueshme.
Situata aktuale
Përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtori rajonale u mblodhën sot në një takim urgjent në Prefekturën e Fierit për të raportuar situatën e reshjeve. Struktura të ndryshme janë angazhuar për kontrollin e kanaleve kulluese dhe argjinaturave, me qëllim përballimin e vërshimeve të mundshme të lumenjve Shkumbin, Vjosë, Seman dhe Gjanica.
Inxhinieri i Bordit të Ujitjes dhe Kullimit, Evarist Koliçi, deklaroi se sistemi kullues është në gjendje të mirë dhe punonjësit janë në gatishmëri. Reshjet kanë qenë të lehta, por era e fortë ka shkaktuar defekte në rrjetin elektrik. Deri tani janë riparuar 13 fidera, ndërsa vijon puna për 7 të tjerë.
Prefekti i Fierit, Anduel Xhindi, kërkoi gatishmëri maksimale dhe reagim të koordinuar në rast përkeqësimi të situatës.











