AKTUALITETTOP-NEWS

“Shoqëria në kaos – Alarm nga Dhoma e Avokatisë Fier: Dështojnë politikat sociale, dhuna familjare në rritje”

Ngjarjet tronditëse që kanë ndodhur kohët e fundit në Qarkun e Fierit, sidomos brenda mureve të familjes, kanë sjellë një tronditje të thellë shoqërore dhe kanë ndezur një debat të fortë mbi gjendjen e politikave sociale në vend.

Dhuna, shpesh me pasoja tragjike, po bëhet një realitet i frikshëm që sfidon çdo ndërhyrje institucionale dhe vë në pikëpyetje funksionimin e strukturave shtetërore për mbrojtjen e individit dhe familjes.

Në këtë situatë shqetësuese, ka reaguar fort Kryetari i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj, i cili shpreh me tone të ashpra se institucionet kanë dështuar.

“Ngjarjet e fundit nuk janë thjesht raste të izoluara. Ato janë pasqyra e një dështimi të thellë të politikave sociale, si në parandalim, ashtu edhe në rehabilitim. Nuk mund të presim që plagët e familjes shqiptare të mbyllen vetvetiu, kur mungojnë mbështetja, edukimi dhe ndërhyrja në kohë nga strukturat përgjegjëse,” u shpreh Hamataj në një deklaratë për mediat.

Ai ngriti gjithashtu alarmin për rritjen e rasteve të dhunës në familje, që shpeshherë shoqërohen me pasoja ekstreme. Sipas tij, në vend që të kërkohet rikthimi i dënimit me vdekje – një ide që kohët e fundit ka marrë mbështetje në opinionin publik – duhet të kërkohet zbatimi i ligjeve ekzistuese, të cilat janë mjaft të ashpra në raste të tilla.

“Kërkesa për rikthimin e dënimit kapital është e papranueshme dhe nxitur nga emocioni. E drejta penale shqiptare parashikon dënime të rënda për krime të tilla, por sfida mbetet zbatimi efektiv i tyre,” theksoi ai.

Por më e rëndësishmja, sipas avokatit Hamataj, është të kuptohet se dhuna nuk lind rastësisht. Ajo është produkt i një kulture bashkimi të detyruar, e mbështetur në modele të vjetruara dhe ndërhyrje të jashtme.

Ai bëri një apel të fortë kundër martesave të bëra “me zor” apo pa njohje të mirëfilltë mes partnerëve. “Mos bashkoni dy njerëz në mënyrë mekanike. Lërini të njihen, të dashurohen, të jetojnë dhe, nëse është e nevojshme, të divorcohen pa trysni. Bashkimi me imponim është një bombë sociale që shpërthen përditë para syve tanë,” tha ai me tone të drejtpërdrejta.

Për Hamatajn, kjo është një thirrje urgjente për reflektim – jo vetëm për institucionet shtetërore, por edhe për vetë shoqërinë shqiptare, për familjen, për shkollën, për çdo faktor që ndikon në edukimin dhe zhvillimin e individit. Nëse nuk veprohet me urgjencë dhe me vendosmëri, paralajmëron ai, kaosi social do të thellohet dhe krizat familjare do të shtohen me pasoja të pakthyeshme.

Në fund të deklaratës së tij, Hamataj apeloi për më shumë investim në edukim, për politika sociale që parandalojnë, informojnë dhe mbështesin, dhe për një shoqëri që lejon lirinë e zgjedhjes, dashurisë dhe jetesës, larg paragjykimeve dhe trysnive që shpien drejt shkatërrimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button