Nuredin Dumani ka zbuluar vetëm 1% të vrasjeve me pagesë që ndodhin në Shqipëri. Të gjitha vrasjet e kësaj vere të ndodhura në vend dhe që janë të pazbardhura dyshohet se janë kryer nga vrasës me pagesë, gjurmët e të cilëve kanë avulluar si me magji.
Dhe teksa policia tregon se është në krye të detyrës duke shpërndarë njoftime për arrestime të zakonshme, vrasja e Briland Martinaj, Diklent Vataj dhe Besmir Hoxhaj ka dyshime të forta se u zbatua nga vrasës profesionistë, të egër dhe që qëllojnë me vendosmëri në udhëtim e sipër- thotë një nga kriminalistët e policisë së shtetit.
E njëjta gjë, nga vrasës profesionistë u përsërit edhe në episodin e 24 korrikut, një krim i klasifikuar si mafioz dhe me vrasës të paguar.
Një skenë preçise krimi u përshkrua nga policia për Gazetasi.al vendngjarja ku u vra Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi. Një burim shumë i sigurt pohon për gazetën se objektiv ka qenë i mbijetuari Brahimi që po udhëtonte me makinë të blinduar dhe që sidoqoftë nuk e parandaloi dot rënien në grackën e vrasësve që sakaq po e prisnin me armë kallashnikov.
Ka qenë ora rreth 21:20 minuta kur persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve Ylli Ibrahimi dhe Klisman Preçi.
Për krimin e ndodhur në zonën e Milotit policia nuk heq dorë nga bindja se të dyja krimet e sipërpërmendura kanë lidhje me njëra tjetrën dhe se vrasësit me pagesë që sigurohen lehtësisht dhe që variojnë nga moshat 24 vjeç deri në 40 qëllojnë brutalisht mbi objektivin duke lënë pas viktima, gëzhoja, makina të djegura dhe sidomos një policie që për të mbytur frikën e pasigurisë së krimeve në vende publike, reagon duke publikuar aksione periferike.
Vrasësit me pagesë u rikthyen sipas burimeve në qytetin e Vlorës, aty ku me informatorë e bashkëpuntorë ndoqën dy shënjestrat e radhës dhe që u qëlluan në ecje e sipër. Grupi i hetimit i tha gazetës se sekuestroi në vendngjarje 20 copë gëzhoja.
Dy të vrarët Geno Lena dhe Hakim Xhezo, vëllai i një të burgosuri për një tjetër vrasje në Vlorë gjatë u përshkruan nga policia si të bërë shoshë nga plumbat. ‘një skenë që gjatë kqyrjes së kufomave do të mbetet e paharruar” tha një oficer policie ku dhe shpjegoi se në trupin e Geno Lenës ai ishte masakruar komplet në kokë e po ashtu edhe ne qafë dhe në krahun e djathtë.
Edhe i ndjeri Hakim Xhezo i moshës 33 vjeç që gjendej në makinë me të kishte të njëjtat plagë precise të qitura direkt e në kokë- thotë i njëjti burim policor që shton se kjo saktësi i bind hetuesit se bëhet fjalë për qitës profesionistë dhe me pagesë.
Kanë qëlluar në ecje e sipër paralel, as që kanë ndaluar dhe as që kanë bërë ndonjë gabim të mundshëm që do na ndihmonte në zbardhjen e krimit”, shton policia e Vlorës. Burimet i thonë gazetës se mjeti i vrasësve u vodh në datën 29 qershor të këtij viti në aksin rrugor Durrës- Tiranë.
Automjeti që përdorën vrasësit u denoncua në policinë e Vorës nga pronari i saj shtetasi D. V”, theksojnë burimet e sigurta që përshkruajnë se gjatë kqyrjes së mjetit të djegur tip BMV u gjetën tre armë krejtësisht në flakë.
Policia duke nxjerrë viktimat nga makina pas atentatit në Vlorë.
“Të tria armët janë automatik model 56 , kalibri 7.62 mm me numra 954…, po ashtu u gjet një targë automjeti e vjedhur dhe një krehër automatiku model 56 i boshatisur” shtojnë ekspertët.
“Në brendësi të mjetit të vrasësve u gjetën gëzhoja dhe krehër arme me kapacitet 30 fishekë”. Por pikërisht ky krim hapi luftën midis policisë dhe prokurorisë. Duke tentuar të justifikohet se njëri nga viktimat kishte qenë i arrestuar për armë mbajtje dhe se prokuroria e kishte liruar dhe konkretisht shtetasi Geno Lena, jo zyrtarisht prokuroria reagon ashpër për Gazetasi.al.
‘Ky informacion i shpërndarë me keqdashje është i pavërtetë. Viktima nuk është arrestuar dhe as ishte referuar për armë mbajtje, por për përkrahje të personit në kërkim- deklaron njëri nga prokurorët e qytetit bregdetar. Në atë kohë Geno Lena i njohur me emrin tjetër (që e ndryshoi ) si Shpati Lena u arrestua së bashku me Eduart Xhezon mbasi ky i fundit qëlloi për vdekje shtetasin Arben Beqiraj, i njohur së fundmi si biznesmen.
Ndonëse vrasja u motivua për shkak të zhurmës që shkaktonte kali, autoritetet nuk arritën asnjëherë që të vërtetojnë edhe pista të tjera të mundshme që u përfolën në qytet duke marrë shkas nga profili i secilit”.
Grupi i hetimit thotëse pista kryesore është ky krim i 2019, dhe paraprakisht ata shprehen se janë të bindur se edhe në këtë çështje janë pajtuar vrasës me pagesë.Panorama