Wednesday, October 9, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETVrasja e Papës/ “Telefonova 2 herë policinë, dilte sekretaria”

Vrasja e Papës/ “Telefonova 2 herë policinë, dilte sekretaria”

Vrαsja e Edmond Papës një javë më parë në Tiranë vijon të mbetet pa autor. Dëshmitë e personave në vendngjarje kanë nxjerrë një situatë të pakëndshme për policinë e Tiranës. Edhe pse pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka telefonuar 2 herë policinë, ai ka thënë se i përgjigjej sekretaria.

Në ditën që Drejtoria e Policisë së Tiranës njohu drejtorin e ri, por edhe nëndrejtorin krah tij, 49-vjeçari, Edmond Papa, u qëllua disa herë me pistoletë në zonën e Selitës. I njohur si biznesmen ai ishte ulur në një bar pranë banesës së tij kur agresori i maskuar me kapuç e qëlloi duke e lënë të plagosur rëndë.

Në dëshminë e tij pronari i lokalit i identifikuar me iniciale tha se vetë 49-vjeçari i kishte thënë se është i plagosur, ndërsa kunata e tij mori makinën për ta transportuar në spital pasi edhe ambulanca nuk po vinte.

“Kam qenë brenda në lokal dhe isha në banak. Kam dëgjuar zhurmë dhe mendova ishin fishekzjarrë. Pashë një person me kapuç në kokë dhe pastaj dola nga banaku për te dera dhe në hyrje të lokalit kam parë viktimën, i cili më tha që ishte plagosur dhe të lajmëroja ambulancën. Ishte ora 16:25 dhe telefonova numrin 129 dhe më ka dalë sekretaria. I rashë dy herë.

Nuk po më përgjigjeshin dhe shkova te banesa e vëllait të viktimës dhe aty doli kunata e viktimës dhe i kam thënë asaj që është plagosur kunati. U ktheva në lokal dhe hoqa xhupin dhe ia vendosa te koka viktimës dhe i vendosa një peshqir te plagët. Kunata e tij mori makinën për ta transportuar në spital pasi ambulanca nuk kishte ardhur akoma, më pas erdhi policia dhe pastaj ambulanca që e mori dhe çoi në spital” – thotë V.Sh., pronar i lokalit në dëshminë e publikuar nga A2 CNN.

Nga ana tjetër, kunata e 49-vjeçarit tregoi se si Papa kishte mbërritur në shtëpi rreth orës 10 së bashku me nënën e tij.

“Në orën 10:00 në shtëpi kanë ardhur vjehrra së bashku me kunatin. Ata kanë ardhur në Tiranë me automjetin e kunatit tim, pasi do të kryenin disa vizita mjekësore të vjehrrës. Rreth orës 16:15, kunati më kërkoi që t’i jepja për të ngrënë vjehrrës, para se ta çonte për vizitë mjekësore. Kur isha duke i dhënë për të ngrënë vjehrrës dhe në ato momente dëgjova të shtëna.

Kujtova se mos ishin fishekzjarrë, por më pas ra zilja e portës dhe ishte pronari i lokalit, ai më tha të lajmëroja ambulancën pasi ishte plagosur kunati im në lokalin e tij. Telefonova ambulancën dhe pastaj mora automjetin e kunatit tim për ta dërguar në spital, por më pas erdhi policia dhe ambulanca që e mori” – thotë kunata e viktimës.

Policia mori në pyetje dhe vëllain e Papës i cili tha se nuk kishte parë asnjë shqetësim te 49-vjeçari i cili nuk ruhej. Sa u përket hetimeve, policia ende nuk ka mundur të zbulojë identitetin e autorit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë dyshohet se është larguar në këmbë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME