Wednesday, December 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETVrau 2 persona në Shqipëri/ Engjëll Brahimi fiton lirinë me kusht në...

Vrau 2 persona në Shqipëri/ Engjëll Brahimi fiton lirinë me kusht në Kanada

Ëngjëll Brahimi u dënua në mungesë për vrasjen e një punonjësi policie dhe djalit të tij, por është liruar në Kanada. Shqiptari, që ka jetuar në Montreal prej vitesh me një identitet të rremë për të shmangur burgun në Shqipëri, ku u dënua në mungesë për vrasjen e një oficeri policie dhe djalit të tij, u lirua me kusht në gjykatën e Montrealit të enjten ndërsa ai sfidon një urdhër ekstradimi. Brahimi u arrestua në Montreal më 26 janar.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë François Dadour ra dakord me kërkesën e avokatëve që përfaqësonin Ëngjëll Brahimi, 60 vjeç, që ai të lirohej ndërkohë që çështja e ekstradimit është ende në pritje. Brahimi është përfaqësuar nga avokatët mbrojtës Andrew Barbacki, Jordan Trevick dhe Sara Malik. Sipas mediave të huaja, qeveria shqiptare pretendon se Brahimi vrau oficerin e policisë, Astrit Braçe, dhe djalin e tij tetë vjeçar, Asllanin gjatë një prite me armë zjarri më 10 gusht 2000.

Dadour vendosi një sërë kushtesh që Brahimi duhet të zbatojë. Përveç kushteve standarde të lirimit me kusht – që ai të ruajë qetësinë, të respektojë një shtetrrethim dhe të paraqitet në datat e ardhshme të gjyqit – një palë e tretë ra dakord të bënte një depozitë prej 20,000 dollarësh për të mbështetur kërkesën e Brahimit për lirim me kusht.

Gjykatësi vendosi gjithashtu një kusht jashtëzakonisht të rreptë që kërkon që Brahimi të raportojë në RCMP çdo ditë jave, ndërkohë që ai është i lirë me kusht. Normalisht, një personi të cilit i është dhënë lirimi me kusht në një çështje penale kërkohet të paraqitet në një stacion policie një herë në javë ose një herë në muaj.

Çështja do diskutohet sërish në gjykatë më 26 qershor.

Në janar, qeveria shqiptare kërkoi ekstradimin e Brahimit ndërsa pretendonte se ai jeton prej vitesh në Kanada me emrin Piro Kota. Avokatët e Brahimit kanë pranuar se Kota është vërtet Brahimi.

“Ka pamjaftueshmëri të provave se ai është autori (i dënuar në mungesë në Shqipëri)”, tha Barbacki.

Si ndodhi vrasja?

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2000. Në atë kohë, Brahimi ishte i inatosur me policinë për vdekjen e vëllait të tij. Ky i fundit kishte mbetur i vrarë gjatë një përplasjeje me armë zjarri me autoritetet. Pasi ishte nisur për t’u hakmarrë ndaj tij, ai kishte vënë në shënjestër kreun e hetimeve penale në Fier, Astrit Braçe. Kur Braçe po bënte plazh me familjen e tij, Brahimi i zuri pritë. Ai qëlloi me breshëri, por plumbat kapën 8-vjeçarin, ndërsa vetë polici arriti të largohej.

“Kriminel, ma vrave djalin!”– nisi të bërtiste gruaja e Braçes, por Brahimi e la aty dhe u vu në ndjekje të policit për të marrë hakun e të vëllait. Ai e vrau buzë një lumi dhe trupi iu gjet të nesërmen. Brahimi u arratis fillimisht në Greqi ku ndërroi emrin dhe mori një dokument identifikimi me emrin Piro Kota. Më pas u zhvendos në Quebec ku ndërtoi jetën dhe familjen e tij duke punuar si shofer kamioni.

Në mungesë, autoritetet shqiptare e gjykuan dhe e dënuan me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim për hakmarrje, vrasje, tentativë vrasje dhe armëmbajtje të ndaluar.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME