Zjarr i madh në kodrën e Margëlliçit, po digjen shkurre dhe ullishte

Patos – Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pak minuta më parë në kodrat me ullishta në zonën e Mërgliçit.
Sipas banorëve të zonës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe toke me shkurre dhe ullishte, pas kodrës së Mërgliçit, në zonën e njohur edhe si Ish-Menza 3.
Banorët kanë dalë në terren dhe po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve, ndërsa drejt vendngjarjes raportohet se po shkojnë edhe automjetet zjarrfikëse, së bashku me ekipet e shërbimit zjarrfikës.
Situata vështirësohet nga era, e cila në këto momente favorizon përhapjen e zjarrit në sipërfaqen me bimësi dhe ullinj.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe përmasat e sakta të sipërfaqes së përfshirë nga flakët. Pritet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll.







