AKTUALITETTOP-NEWS

Zjarr masiv pranë Apolonisë, flakët rrezikojnë banesën dhe antenat e kompanisë celulare

Një zjarr masiv ka përfshirë rreth mesditës së sotme një zonë pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë në Fier, duke përfshirë shkurre dhe sipërfaqe me ullishte.

Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era që frynte në momentet e rënies së zjarrit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët e zonës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, flakët kanë rrezikuar edhe një banesë pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Një tjetër shqetësim ka qenë rrezikimi i antenave të transmetimit të një kompanie celulare, të cilat ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit. Për shkak të intensitetit të flakëve dhe erës, ekzistonte frika se zjarri mund të përhapej më tej.

Banorët e zonës kanë ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, duke argumentuar se flakët janë përqendruar kryesisht në një zonë. Megjithatë, shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende për t’u përcaktuar nga autoritetet.

Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe banorë të zonës dhe shërbimet e Policisë.

Përballë një zjarri me intensitet të lartë, forcat në terren kanë punuar për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së saj drejt banesave dhe objekteve të tjera pranë.

Sipas burimeve zjarrfikëse, në këto momente zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

Pritet që verifikimet e autoriteteve të përcaktojnë edhe shkakun e rënies së zjarrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button