Zjarri në Riban merr përmasa të mëdha, përparon drejt Ngraçanit! Në ndihmë avioni i marrë me qira! Zjarrfikësit luftojnë me lopata

Prej ditës së djeshme zjarri vijon të djegë masivin pyjor në fshatin Ribon të Mallakastrës. Terreni është i thepisur, shkëmbor, ndërkohë që ndryshimi i drejtimit të erës e ka çuar që flakët e zjarrit të marrin tashmë në drejtim të fshatit Ngraçan.
Informacionet zyrtare bëjnë me dije se në terren janë 50 zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova. 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 punonjës të forcave bashkiake, dy autobote uji, si dhe në mëngjesin e sotëm kanë shkuar rreth 40 trupa të Forcave të Armatosura nga Berati dhe Vlora pra të Bunavisë që kanë vajtur në ndihmë për të shuar flakët e zjarrit.
Ndërkohë që mëngjesin e sotëm është kërkuar ndërhyrja përsëri nga ajri. E në mungesë të avionëve kundra zjarrit, edhe pse Rama e premton prej 4 vitesh, një avioni Canadair i ardhur nga vendet fqinje po punon për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe një helikopter i ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa zjarrfikësit të vetmet mjete që kanë janë lopatat.
“Terreni është i thepisur, mungesa e rrugëve në atë zonë, dhe nga ana tjetër masivi pyjor me pisha është 60-70 vjeçar dhe halorët që kanë rënë kanë krijuar një shtresë të gjatë të thatë dhe është shumë e vështirë që të bëhet fikja e zjarrit, për shkak se në qoftë se zjarrfikësit arrijnë ta fikin zjarrin përsëri ai është i ndezur në brendësi pra të shtresave halore që ka në sipërfaqe të tokës.
Duke patur dhe halorët që kanë rënë ndër vite, ka bërë që zjarri të vazhdojë me intensitet edhe pse kanë qenë helikopterë që kanë hedhur ujë nga ajri apo sot mëngjesin e sotëm ka ardhur një avion që për të shuar zjarrin hedh ujë nga ajri, përsëri është e vështirë kjo për shkak të temperaturave të larta si në atmosferë ashtu dhe temperaturat e larta që ekzistojnë në rrënjët e pishave për shkak të halorëve që kanë rënë ndër vite dhe janë tharë. Pra duhet një ndërhyrje e specializuar ose një sasi uji më e madhe që të bëjë të mundur fikjen e zjarrit.
Deri në këto momente, ka folur për flotë avionësh apo helikopterësh për të shuar zjarrin, por deri më sot nuk kemi absolutisht asnjë avion apo helikopter që të shuajë zjarrin, por merren borxh nga komshinjtë.
Pasditen e djeshme ishin dy helikopterë zjarrfikës që operuan për të shuar flakët në atë zonë, ndërkohë që mëngjesin e sotëm është kërkuar ndërhyrja përsëri nga zjarri dhe ka ardhur një avion zjarrfikës në ndihmë të forcave zjarrfikëse dhe forcave të armatosura të cilët me mjete rrethanore po mundohen që të shuajnë flakët e zjarrit.
Nuk bëhet fjalë tashmë që të rrezikohen banesat, siç thonë autoritetet lokale, ndërkohë që pasditen e djeshme 15 ishte numri i familjeve të evakuuara për siguri si dhe të gjësë së gjallë që ndodhet në ato zona që ishin pranë sipërfaqeve që digjeshin nga flakët në fshatin Ribon, afër Lofkëndit apo tashmë që ka marrë drejtimin e fshatit të Ngraçanit.” raporton gazetari Xhemil Beharaj nga vendngjarja.
Zjarri ka rënë ditën e djeshme në mëngjes vazhdon me intensitet për shkak edhe të erës së fortë, çka ka bërë që janë rindezur vatrat.
Duhet një ndërhyrje e specializuar ose një sasi uji më e madhe që të bëjë të mundur fikjen e zjarrit.









