Zjarri rrezikoi Parkun Arkeologjik të Apolonisë, arrestohet 31 vjeçari

Policia ka arrestuar një 31 vjeçar si autor i dyshuar që ndezi zjarrin në tokën e tij duke rrezikuar dhe parkun Arkeologjik të Apollonisë.
Në pranga ra Daniel Duraj banues në fshatin Pojan të Fierit pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasit:
Agim Stafa, 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër.
Dragol Guga, 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.







