8 ditë protestë kundër reformës territoriale, banorët: Divjaka të mbetet bashki, nisin peticionin

Protesta e banorëve të Divjakës kundër projektit që parashikon bashkimin e bashkisë me Lushnjen ka hyrë sot në ditën e tetë.
Edhe mbrëmjen e kësaj të premteje, kërkesa e protestuesve ishte e njëjtë si që në ditën e parë: “Divjaka Bashki!”
Në protestë morën pjesë jo vetëm banorë të qytetit të Divjakës, por edhe banorë të njësive administrative.
Mikrofoni ishte i hapur për të gjithë dhe mesazhi ishte i njëjtë: kundërshtimi i shkrirjes së Bashkisë Divjakë dhe bashkimit të saj me Lushnjen.
Edhe gjatë ditës së tetë të protestës, disa prej protestuesve dogjën kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, si shenjë kundërshtimi ndaj projektit.
Ndërkohë, organizatorët kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion që do t’u dërgohet institucioneve shtetërore. Me anë të tij kërkohet anulimi i projektit të reformës, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë Divjakë me Lushnjen.
Si çdo mbrëmje, protesta u mbyll me marshimin e qytetarëve në rrugët e Divjakës, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë deri në tërheqjen e projektit.








