Ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase, i cili drejtonte gomonen që përplasi për vdekje një fëmijë në plazhin e Potamit rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë.
Por, pavarësisht kësaj ai është rikthyer sërish në detyrë në Policinë e Shtetit.
Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës akuzohej për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës.
Në dhjetor të 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjë kanabis në Vlorë.
Arjan Tase është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës në 27 prill 2022 dhe u rikthye në polici më pas në detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Këto janë pamje vetëm pak minuta pas ngjarjes tragjike të ndodhur në plazhin e Potamit.
Pasi goditi për vdekje një vajzë 7 vjeçe, drejtuesi i gomones Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrën e Shefit të Policimit në Komunitet në Policinë e Elbasanit, u përplaset verbalisht me pushuesit.
Ai kërcënon pushuesit në bregdet, duke i sharë dhe ulëritur, ndërsa irritimi i pushuesve ka qenë i lartë.
Në sfond dëgjohen të qara dhe ulërimat e prindërve dhe familjarëve të fëmijës.
Por jo vetëm kaq.
Tase ka tentuar që të arratiset, por është bllokuar nga pushuesit e shumtë që ndodheshin aty.