Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËSI FITOHET BASHKIA E TIRANËS

SI FITOHET BASHKIA E TIRANËS

Nga Përparim Gjeka – Nëse bie Tirana, bie qeveria. Kaq e thjeshtë është çështja e opozitarizmit dhe kaq e rëndësishme është marrja me çdo kusht e bashkisë së Tiranës pas disa muajsh nga duart e pista të kryetarit aktual dhe qeverisë aktuale të cilët me ritme të tmerrshme po realizojnë braktisjen e periferive të vendit drejt Tiranës dhe braktisjen e Tiranës dhe krejt vendit drejt emigracionit.

Marrja e Tiranës është emergjencë kombëtare dhe është e mundshme me gjithë ato skandale të administrimit të saj sidomos në 8 vitet e fundit, prandaj humbja është e pafalshme dhe çdokush nga forcat opozitare që nuk bën maksimumin për fitore, do rezultojë se do të mbajë përgjegjësi historike para shqiptarëve.

Por si mund të realizohet marrja e Tiranës nga një kandidat fitues?

Identikiti i kandidatit fitues

E para le të heqim nga diskutimi nëse kandidati duhet të jetë politik apo apolitik. Gjithë pozimet e logjikës politike, matematike dhe konjitive na japin një përgjigje shteruese për këtë pikë:

– Përçarja aktuale qoftë në qendër apo në bazë e opozitës parlamentare aktuale në tre grupe relativisht të qarta nuk lejon për sinergji elektorale edhe nëse në teori grupet në qendër bien dakord për bashkim, domethënë një kandidat i Berishës të themi nuk do merrte 100% votat e grupeve të tjera e jo më të pretendonte të merrte më shumë vota nga ato që PD nuk i ka marrë ndonjëhere dhe i nevojiten për të mundur të majtën.

– Në fakt bashkimi në qendër është vetëm degjenerim i problemit sipas politikave kush i lë kujt ”dobiçin në derë” dhe jo zgjidhje e problemit kryesor që ka opozita atë se në zgjedhjet e përgjithshme nuk i kalon 35% të votave të përgjithshme, por edhe në zgjedhje lokale, përshembull në ato 6 marsit përveç Shkodrës ku votuesit qartas anojnë djathtas, shuma e të dy kandidateve opozitare bashkë nuk i kaloi dot votat e kandidatëve të PS në asnjë qytet tjetër.

– Duke qenë se Veliaj në fuqi dhe promovim politik është numri dy i PS, kundërshtari i tij do duhej të ishte korresponduesi i tij në fuqi politike nga opozita ose më lart, pra jo më poshtë se sa numri dy që i takon të jetë ose Metaj ose Berisha sipas konfigurimit të sotëm. Përderisa ata vetë nuk e pretendojnë kandidimin duke pranuar limitet e tyre, nuk po analizojmë më tej, por nga ky pozim kuptohet se çdo figurë apo figurinë tjetër politike do futej me minus të madh në garë.

– Elektorati gri që pritet të bëjë ndryshimin në vota, në rastin e një kandidati të zgjedhur me primare brenda PD dhe/ose me kompromisin PD-PL-Grupe të tjera, përsëri do ta konceptonte kandidatin politik si të Berishës dhe Metajt e nuk do të kishte motivim të merrte pjesë në votim.

Argumentat e mësipërme besoj janë të mjaftueshme për të kuptuar që kandidati duhet të dalë nga një proces i hapur, transparent, demokratik dhe gjithpërfshirës edhe nëse ne fund rezulton të jetë i angazhuar në ndonjë parti politike opozitare.

Përsa i përket identikitit personal të një kandidati fitues idealisht ai/ajo do duhej të plotësonte disa karakteristika të cilat do ta pozicionin dukshmëm mbi Veliajn në çdo parametër kryesor ku mund të veçohej:

– integriteti moral; i njohur (jo i panjohur) për fjalën e dhënë e të mbajtur, për të qenë në pozita moralisht të forta kur të radhisë gjithë mashtrimet e paskrupullta të Veliajt me zë e figurë.

I dokumentuar si dhënës, kontributor, filantropist, ndihmues i shoqërisë dhe jo hajdut e përfitues nga shoqëria dhe politika si Veliaj.

Denoncues serial i mashtrimeve, vjedhjeve dhe vrasjeve dhe jo lyers i kokave me bojë të kuqe të protestuesve disa prej të cilëve do të vriteshin dhe as përgjegjës dhe skuth për vrasjen e të pafajshmit Ardit në punime të kontraktuara nga Bashkia si Veliaj.

– integriteti profesional;

Diplomë universitare nga universitet të akredituar të publikuar online, të dokumentuar të rregullt, të njohur nga Ministria e Arsimit dhe jo si Veliaj që asnjë nga këto nuk ka publikuar.

CV pune normale disa vjeçare në kompani apo institucion me histori suksesesh e arritjesh profesionale dhe jo si Veliaj që nuk ka asnjë profesion dhe asnjë ditë pune profesionale para se të merrej me politikë.

Mundësisht profesion që ka lidhje me njohjen dhe administrimin e mirë të qytetit si ekonomist, jurist, inxhinier, arkitekt, etj.

– Debatues publik karizmatik

Duke qenë se Veliaj kontrollon shumicën e mediave dhe ka një makineri të paguar në sufllaqexhinjsh në rrjete sociale, kandidati duhet të jetë një artikulues i rrjedhshëm i politikave të veta, denoncues bindës me fakte të skandaleve të pushtetit, debatues sypatrembur, fotozhenik dhe karizmatik në media, përcjellës dhe mbrojtës i halleve, problemeve dhe ideve të shumicës së votuesve. Mesazhet e kandidatit duhet të rezonojnë me dëshirat dhe ëndrrat e votuesve sidomos të rinj.

– Me ekip të gjerë profesional dhe mediatik

Puna e bashkisë nuk është politike por publike, profili profesional i punonjesve të bashkisë duhet të jetë strikt profesional që nga kryetari deri te puna sanitare. Rrethimi i vetes dhe prezantimi me ekipin e vet me ekspertë sa më të spikatur, sa më të njohur në profesionet e tyre, me programe të qarta në çdo fushë si nënkryetari për zhvillimin urban, nënkryetari për inovacionin teknologjik, nënkryetari për artin, kulturën dhe sportin etj., do ishte një domosdoshmëri për të bërë diferencën me mediokritetin sundues në bashkinë e Veliajt nga shoqëria personale apo me rekomandim nga partia.

– ide inovative e realiste zgjidhjeje për çdo problem aktual në Tiranë, përshembull trafiku i rënduar, uji i (pa)pijshëm pa orar e pa depozita, zhvillimi urban vertikal i pambështetur nga infrastruktura, ajri dhe mjedisi i ndotur etj. Plan konkret me afate konkrete, me burime financimi dhe jo llafologji politike e premtime në erë.

Një kandidat i tillë do duhej të gjendej, synohej dhe mbështetej nga gjithë forcat opozitare me sinqeritet absolut dhe për këtë do duhet të krijohen kushtet për evidentimin e kandidatit më të mirë të mundshëm në një garë të ndershme që sipas shembullit amerikan kanë marre emrin primare.

Procesi fitues i primareve

Donald Trump mori pjesë si “insurgent” në primaret amerikane për kandidat për President në vitin 2016, shqip pak a shumë përkthehet si rebel, plangprishës i rregullave të deriatëhershme, i jashtëm, jo konvencional, pra jo republikan tipik, por u lejua të merrte pjesë në primare. Historia dihet, ai rezonoi me masën e gjerë popullore dhe me bazën republikane duke tërhequr edhe elektorat gri. Askush nuk e di se kush mund të ishte një Trump tiranas, dhe askush nuk ka të drejtën të vendosë apriori një person duke marrë përsipër rrezikun e humbjes së shansit për të kthyer rrotën e historisë së Shqipërisë drejt demokracisë funksionale, prandaj duhet kaluar nëpër një proces të domosdoshëm me etapat, procedurat dhe kohën e nevojshme ku një propozim do ishte:

1. Opozita parlamentare e bashkuar shpall në një deklaratë vullnetin për primare reale nga radhët e gjithë opozicionit dmth. gjithë atyre që nuk janë të kënaqur me pushtetin e ushtruar nga PS dhe sekti rilindas i saj në qeveri dhe pushtet vendor. Pra çdo njeri që provon me një fakt të vetëm se gjatë viteve të fundit publikisht ka demonstruar pakënaqësi me pushtetin ka të drejtë të regjistrohet për primare. Prova mund të jetë marrja pjesë në një demonstratë, prononcim në media apo rrjete sociale etj.

2. Mblidhet një konferencë kombëtare me gjithë përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe jo parlamentare, grupeve të interesit, shoqërisë civile etj. dhe miratojne kriteret për primare për kandidatet si psh. Diplomë e shkollës së lartë, firmat e 100 mbështetësve dhe stafin e ngushtë me 10 vetë të cilët do ishin bërthama e organikës së Bashkisë nëse fiton. Gjithashtu miratohen procedurat dhe njerëzit e administrimit të primareve me përfaqësues nga të gjitha grupet.

3. Miratohen kandidaturat finale dhe hapet gara e primareve në çdo bashki, duke u lejuar kohën e nevojshme disa mujore të shpalosin vizionin, programin, ekipin e vet në media, takime, panele ballafaqimesh publike etj. Gjatë kësaj kohe disa konkurrentë do tërhiqen vetë duke e parë se nuk marrin mbështetje në elektorat.

4. Dy ose disa kandidatë finalë kalojnë në fazën finale ku përzgjidhet kandidati më i mirë sipas një sistemi pikësh të miratuara paraprakisht, ku ta zemë se në 100%, 5% i ndahet integritetit moral dhe shkollimit ku prof.doktori merr 5, masteri 4 dhe të tjerët 3. 10% ana profesionale ku arritjet profesionale gjithashtu vlerësohen në tre grupe, normal, mbi mesataren dhe të shkëlqyer kur kanë kryer vepra të dukshme në dobi të komunitetit si filantropi, vepra shkencore të botuara, arktitekturë të vlerësuar etj. dhe jepen përkatësisht 8, 9, 10 pikë. 20% jepen për programin dhe idetë inovative dhe për zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetit. 5% jepen për konsistencën opozitare që mund të matet me anëtaresimin me vite në një parti opozitare, numrin e postimeve në rrjete sociale plus numrin e pelqimeve dhe numrin e komenteve, aktivitete civile në dobi të komunitetit dhe kundra pushtetit që ka iniciuar apo ndjekur etj. 10% merren nga shuma e disa polleve online dhe 50% vendoset nga numri i votave në ditën finale të primareve ku mund të votojë kushdo që ka marrë pjesë të paktën një herë në aktivitetet gjatë fushatës së primareve, ka regjistruar emrin atë ditë si votues dhe nuk është skualifikuar nga komisioni me anëtarë të përbashkët pas një prove të paraqitur nga të paktën një anëtar se votuesi në fjalë është futur nga pozita për të favorizuar kandidatin e tyre te preferuar. Provat për këtë mund të jenë: patronazhist, anëtar i PS, i deklaruar publikisht pro pushtetit, shpërndan postet e pushtetit në rrjete sociale, ka komentuar pro pushtetit etj.

Ky sistem pikësh mund të variojë, por ideja është që të zgjidhen më të mirët në kompleks dhe jo vetëm të varen nga dita e votimit, ashtu si ka qenë në vitet e para pas ndryshimeve demokratike pikavarazhi për në universitet, ku 30% i jepej mesatares së katër viteve të shkollës së mesme dhe 70% pikëve të provimit të degës së preferuar.

Reforma zgjedhore fituese

Gjithë përpjekjet e opozitës për fitore mund të shkojnë kot ashtu si shkuan në zgjedhjet e prillit 2021, sepse pushteti përdori gjithë makinerinë e tij shtetërore për deformimin e vullnetit të zgjedhësve me shpërndarje fondesh etj. prandaj duhet ndërhyrë urgjentisht në reformën zgjedhore ose të shtohet patjetër një nen ndëshkues i rreptë ku theksohet se; nëse proovohet nga gjykata qoftë edhe një përdorim sado i vogël i pushtetit qendror apo vendor, pra qoftë edhe një makinë institucioni shtetëror në fushatë, automatikisht kandidati fitues e humb mandatin. Gjithashtu ndërhyrje duhet të ketë për listat e hapura për këshillat vendorë ku kandidatët e partive janë të barabartë në trajtim me kandidatët e pavarur, sepse kjo jo vetëm që është detyrim demokratik, por do të zgjonte interes më të madh për zgjedhjet lokale me vota pro opozitës në përgjithësi.

Raporti i kompetencave midis keshillit bashkiak dhe kryetarit të bashkisë duhet të rishikohet në favor të keshillit, për të ulur korrupsionin dhe prepotencën e kryetarëve.

Gjithashtu administrimi demokratik i zgjedhjeve duhet të ketë prioritet për të shmangur deformimin e vullnetit të zgjedhesve sidomos në numerim. Numërimi duhet të jetë plotësisht transparent dhe i aksesueshem publikisht.

Fushata elektorale fituese

Gjatë fushatës elektorale duhet patur parasysh të ketë grupe të gatshme 24 orë në 24 që të monitorojnë dhe filmojnë çdo lëvizje të pushtetit për manipulim, blerje, deformim, shantazhim të votës, e nëse kapen të dokumentohen si prova në gjykatë. Fushata duhet bërë qytetare, e qetë, me aktivitete e takime sa më shumë me votuesin dhe me përdorimin me efikasitet të burimeve mediatike dhe rrjeteve sociale në shpalosjen e programit dhe denoncimit të gjithë problemeve lokale që kanë lidhje direkte me jetën e përditshme të çdo votuesi. Shpesh shqetësimi se një rrugë lagjeje ku ajo kalon përditë duhet shtruar është shumë më i rëndësishëm për votuesen se sa çdo gjë tjetër, rrjedhimisht asaj i duhet thënë se në cilin muaj pas fitores kjo rrugë do të shtrohet dhe jo se sa i keq është Veliaj që ka vjedhur te inceneratori. Pra të evitohet politika “e madhe” për të cilën shumica e shqiptarëve ka neveri dhe të theksohet aftësia e ekipit të ri për të zgjidhur shpejt, me metoda realiste dhe novatore problemet urbane që aq shumë po e mundojnë qytetarin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME