Kylian Mbappe deklaroi se e ka marrë vendimin e tij për të ardhmen dhe do ta bëjë publik së shpejti, por lajmet që qarkullojnë janë të ndryshme në orë dhe në media të ndryshme.
Paris Saint Germain nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe do të provojë deri në momentin e fundit për t’i ndryshuar mendjen yllit francez dhe për ta bërë të rinovojë kontratën për të qëndruar ende në “Parc des Princes”.
Sipas Eurosport, oferta e fundit e PSG-së për Mbappe është vërtetë e pa refuzueshme dhe ka tunduar jo pak sulmuesin, që gjithsesi nuk ka vendosur ende ta pranojë.
Bëhet fjalë për një bonus prej 300 milionë eurosh për rinovimin dhe një pagë sezonale prej 100 milionë eurosh, të cilave u shtohen edhe të drejtat e imazhit, të cilat do të menaxhohen nga vetë Mbappe, për të rritur akoma më shumë të ardhurat e tij.
Krahas kësaj, drejtuesit e PSG-së i kanë premtuar sulmuesit edhe një rol shumë të madh në vendimmarrje që lidhen me ekipin, si përzgjedhja e trajnerit, apo miratimi i futbollistëve që kërkohen në merkato.