Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËCNN: McGonigal, marrëdhënia e fshehtë me kryeministrin Shqipëtar!

CNN: McGonigal, marrëdhënia e fshehtë me kryeministrin Shqipëtar!

Nga mënyra se si e ka përshkruar deri tani marrëdhënien me Charles McGonigal, kryeministri Rama është përpjekur gjithnjë që ta sjellë atë në kufijtë e normalitetit.

Ai ka rrëfyer se me McGonigal u njoh kur zyrtari i FBI-së i shkruajti fillimisht një sms, që u shndërrua në një takim në kryeministri dhe nga aty lindi një marrëdhënie miqësore që vazhdoi përmes telefonatave dhe takimeve periodike në Shqipëri dhe në SHBA.

Për kaq, kryeministri shqiptar nuk është për t’u fajësuar.

Kush është ai politikan, që nuk do ta kishte zili një marrëdhënie të ngushtë me një nga njerëzit më të fuqishëm në FBI, siç ishte atëherë Charles McGonigal?

Janë interesat e fshehta dhe përfitimet e secilit që e komplikuan situatën dhe e vendosin McGonigal përballë drejtësisë amerikane.

McGonigal shiti aksesin që kishte tek zyrtarët amerikanë

Në një shkrim të CNN shkruhet se zyrtari i FBI-së mbajti një marrëdhënie të fshehtë me kryeministrin shqiptar, ndërsa ish-kolegë të McGonigal thonë se në rastin e tij nuk bëhet fjalë për një spiun, por për një zyrtar të korruptuar.

“Gati dy vjet para daljes në pension në 2018, Departamenti i Drejtësisë pretendon se McGonigal shiti në mënyrë efektive aksesin që kishte tek zyrtarët e lartë amerikanë, në përpjekje për të ndërmjetësuar takime për individë nga Bosnja dhe Hercegovina në emër të personit të lidhur më parë me inteligjencën shqiptare.

McGonigal dyshohet se pranoi të paktën 225,000 dollarë për atë ndihmë, të gjitha duke gënjyer FBI-në për aktivitetet e tij, duke përfshirë udhëtimet e shumta në Evropë të paguara nga kontaktet e tij shqiptare dhe të marra pa informuar FBI-në, si dhe një marrëdhënie sekrete që mbajti me Kryeministrin e Shqipërisë” shkruan CNN.

Sipas gazetarëve amerikanë, kur McGonigal ishte i gatshëm t’i shiste kompetencat e tij për të bërë ca para më shumë, duke menduar se larg në Ballkan, kjo shkelje e tij nuk do të binte në sy.

Aktiviteti i McGonigal në Shqipëri, më i rëndë se marrëdhënia me Deripaskën

Dosja “McGonigal” përbëhet nga dy çështje. E para është për shërbimet e ti ndaj oligarkut rus, Oleg Deripaska, e dyta për udhëtimet dhe takimet që pati në Shqipëri, Kosovë, Bosnje etj.

Dosja për Deripaskën ka marrë vëmëndjen më të madhe në mediat amerikane, por një ish-agjent i FBI-së ka thënë për CNN se dosja për Shqipërinë është akoma më e rëndë. Sepse në rastin e Shqipërisë, FBI u përdor nga interesat e jashtme për të hetuar një shtetas amerikan, siç ishte lobisti Nick Muzin.

“Për disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, sjellja e McGonigal ndërsa ai ishte ende duke punuar në byro është shumë më “e tmerrshme”, siç tha ish-zyrtari i lartë, se sa akuzat kundër tij në lidhje me Deripaskën që u zhvilluan pasi ai kishte dalë në pension.

“Veçanërisht shqetësues, tha ky person, është pretendimi se McGonigal bëri që FBI të hapte një hetim penal për një shtetas amerikan, në të cilin personi i lidhur më parë me inteligjencën shqiptare pritej të vepronte si një burim njerëzor” – ndërkohë që nuk zbuloi për FBI marrëdhënien financiare që kishte me atë person. “Kjo është tepër serioze, për asnjë dyshim e gabuar – nëse ai ka bërë këto gjëra që ata pretendojnë, nuk është zonë gri”, tha ish-zyrtari i lartë i FBI-së” citohet CNN.

Lakmia e McGonigal për më shumë para

Pak ditë më parë, gazetarët e New York Times botuan një analizë mbi dosjen McGonigal dhe lidhjet e tij në Shqipëri me titullin “Si i shiti McGonigal shërbimet e tij përtej oqeanit”.

Njësoj si CNN, edhe New York Times përshkruan atë një agjent të korruptuar që përdori influencën dhe postin e tij në FBI për të bërë ca para më shumë.

“Ndërsa ishte ende në FBI, ai krijoi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sipas prokurorëve në Uashington ndërmori hapa që ishin në dobi të këtij politikani” thuhej në shkrimin e New York Times.

Mbi jetën e Charles McGonigal ka folur edhe ish-e dashura e tij, Allison Guerrero. Ajo ka treguar se si kishte gjetur qese të mbushura me dollarë në shtëpinë e tij, se si shpenzonte në restorantet e shtrenjta të New York dhe dhuratat e shtrenjta që i bënte, apo për lëmoshën 100 dollarë për një të  pastrehë në rrugët e New York.

McGonigal i kishte thënë shpesh se i duheshin akoma më shumë para, edhe pse kishte dy fëmijë për të çuar në kolegj.

Dy vjet pasi urdhëroi nisjen e hetimeve për lobistin e Lulzim Bashës, McGonigal nisi biznes në Shqipëri. Ortakët e tij në një studio ligjore kishin marrë në menaxhim tre vendburime nafte në Shqipëri, për të cilat ai kishte ndërhyrë tek Rama në shtator të 2017.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë dy versione për natyrën e marrëdhënies së tij me McGonigal. Para se McGonigal të arrestohej ai u shpreh: “Shefi i kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet” .

Pasi McGonigal u arrestua, Rama u shpreh: “Fjala mik është një fjalë shumë e madhe, unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies dhe kam thënë “Friendly relation”, një raport miqësor. Në këtë sens kam thënë “Po, ka qenë një mik”, por jo mik në kuptimin që kam ndarë me të jetën për shumë vite”.

Edi Rama përmendet 14 herë në akt-akuzën e drejtësisë amerikane për McGonigal, por ai nuk është i akuzuar për asgjë deri tani. Në të njëjtën dosje, McGonigal akuzohet për falsifikim dokumentash dhe fshehje të fakteve, mbi udhëtimet dhe pagesat që duhej të kishte deklaruar për vizitat e tij në Shqipëri.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME