Nga Kreshnik Spahiu – Dikur kishim 4 politikanë. Pasi u krijua Facebook-u kemi 4 milionë. Rrjetet sociale janë shndërruar në një karaoke politike, sociale, historike, artistike etj. Aq aktivë janë populli në rrjetet sociale sa jemi shndërruar i vetmi vend në planet ku: “Populli merret me politikë dhe politikanët merren me biznes”.
Deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe përkundrazi, është mirë që populli kritikon. Madje shpesh lexon analiza më të logjikshme nga populli sesa nga Ilir Meta, i cili s’ka shkruar asnjë analizë në jetën e tij dhe vërtitet në media me një fjalor mediokër ku maksimumi artikulon vetëm 200 fjalë. Gjithsesi problematika qëndron tjetër kund.
Shqiptarët po kalojnë një lajthitje kolektive dhe pasioni patologjik për Facebook, Tik-Tok, Instagram etj. – Provoni të kritikoni një kryetar partie dhe do hyni në gjakmarrje me gjysmën e ndjekësve të tij. – Provoni të kritikoni një parti dhe do sulmoheni nga gjysma e “miqve” sikur ju ka sharë nënën dhe motrën. – Provoni të kritikoni Ronaldon apo Messin dhe do merrni mallkime të përjetshme – Provoni të shkruani një mesazh kundër Luizit apo Kiarës dhe do merrni dhjetëra kërcënime me vdekje.
Lista është aq e gjatë sa njerëzit vetëm shajnë dhe ofendojnë çdo kënd. – Pesimizëm apo depresion? – Zhgënjim apo mungesë shprese? – Mungesë shkollimi apo edukatë familjare? – Origjinë provinciale apo gjenetikë kombëtarë? – Injorancë apo ligësi? Të gjitha ndoshta nga pak, por kjo s’ka rëndësi. Ajo çfarë mund të nënvizojmë është që ky mllef i shqiptarëve është i paparë në gjithë Europën.
Asnjë komb europian nuk rebelohet me veten në rrjetet sociale. Banaliteti shqiptar është universal. 99% e komentuesve shajnë çdo kënd pa harruar se janë vetë pjesë e këtij populli. Ata vjellin vrerë ndaj çdo kujt si të korruptuar, te inkriminuar apo imoral. Ata shajnë çdo kënd: – politikanët kanë vjedhur – gjyqtarët janë korruptuar – policët janë inkriminuar – doganierët janë hajdutë – tatimorët janë mashtrues – mësuesit marrin ryshfete – mjekët grabisin pacientët.
Sipas komentuesve çdo kush që punon vjedh. Sipas tyre vetëm ata që janë pa punë janë të “pastër”. Me këtë logjikë i bie që ata që janë të pa korruptuar janë të ndershëm vetëm se nuk i është dhënë mundësia të ishin në një “karrige”. Por kjo është gjysma e të keqes. Me shqiptarët armiqësohesh po kritikove Ronaldon, Luizin, Berishën, Kiarën, Messin, Foltoren, Edi Ramën. Aq me fanatizëm i mbrojnë sa po guxuat të shkruani mund humbisni edhe miq që i keni 30 vjet që nga fëmijëria. Shajnë, ofendojnë, mallkojnë.
Lexoni komentet pas çdo lajmi kur flitet për art, kulturë, sport, shëndetësi, politike. Të gjitha shoqërohen me mijëra komente banale. Të gjithë shpalosin fjalorin dhe çmendurinë e tyre nga ora 7 e mëngjesit deri 3 të natës sepse këto kohë edhe gjumin e kanë në një orë me Luizin duke demonstruar sa larg nga qytetërimi europian jemi. Shqiptarët heshtin për çmimet, papunësinë, eksodin, varfërinë dhe “lehin” si qen 24 orë për “idhujt” apo “demonët” e ekranit. Ata kanë heronjtë dhe armiqtë e tyre sureal, që i kanë krijuar nga media apo rrejtët sociale. Ndërkohë 3 milionë francezë për pensione po djegin Parisin, ndërsa në Shqipëri 3 milionë shqiptarë po digjen për Luizin.