Monday, December 30, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËRama: Kosova po humbet epërsinë ndaj Serbisë, të pranojë planin franko-gjerman

Rama: Kosova po humbet epërsinë ndaj Serbisë, të pranojë planin franko-gjerman

I ftuar në podkastin ‘Inside Albania’, kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me situatën në Kosovë dhe Serbi. I kritikuar shpesh për idetë e tij për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Bashkësinë e Komunave Serbe, kreu i ministrave tha se krerët e shteteve duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin dhe të lënë të shkuarën pas.

Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është shumë e qartë. Puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën. Por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen. Ndryshe nga ai që e ka fituar luftën,” tha Rama.

Kryeqeveritari nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë. Në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin. Nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë,” deklaroi ai.

Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë,” sqaroi Rama.

Sipas Ramës, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.

Serbia e ka humbur luftën. Nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim. Të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar,” deklaroi Rama.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME