Saturday, February 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËProcesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, samiti në Tiranë

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, samiti në Tiranë

Ani Ruci-

Samiti i Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë (16.10.2023), është i dhjeti në serinë e samiteve të tilla dhe i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor, (BP) në një vend jo anëtar të BE.

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014 si një nismë, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të BP në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE. Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja – Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë.

Çfarë është arritur deri tani?

Rikthimi i vullnetit politik të vendeve anëtare të BE dhe atyre të BP në procesin e zgjerimit dhe bashkëpunimit rajonal qendron në krye të arritjeve të Procesit të Berlinit.

“Falë mbështetjes së Gjermanisë dhe vendeve të tjera, pjesëmarrëse në këtë proces është arritur të ‘mbyllen’ praktika të përgatitura teknikisht por që nuk nënshkruheshin prej mospajtimeve politike. I tillë është rasti i tri Marrëveshjeve të Mobilitetit, që u nënshkruan vitin e kaluar në Berlin. Këto marrëveshje janë ratifikuar edhe nga Parlamentet e Kosovës dhe të Serbisë dhe po zbatohen nga strukturat kombëtare përkatese, gjë që tregon qartë vlerën e shtuar të Procesit te Berlinit, krahasuar me inisiativa të ngjashme. Vullneti politik që injektohet nga Procesi i Berlinit është i domosdoshëm për Tranzicionin e Gjelbër dhe zbatimin e projekteve qidra-milionëshe euro të infrastrukturës në rajonin e BP”, thotë për DW, Ardian Hackaj, Drejtor i Kërkimeve në Institutin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, me seli  në Tiranë.

Katër objektivat e Procesit të Berlinit

Këto objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të BP, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i  një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit.

“Ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me seli në Tiranë është një arritje e dukshme drejt plotësimit të këtyre objektivave. Forumi i Investimeve të Dhomave të gjashtë vendeve të BP (WB6 CIF) po bën progres në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive për tregti dhe investime brenda BP,” thotë për DW, Emina Muminovic,  koordinatore projektesh në Qëndrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.

Arritje të tjera të Procesit të Berlinit janë Korsitë e Gjelbërta, brenda rajonit dhe ndërmjet tij dhe vendeve anëtare të BE, që kanë lehtësuar rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal. Zbatimi i Marrëveshjes Rajonale të Roaming pritet të ulë kostot e komunikimit mes vendeve të BP dhe atë me vendet anëtare të BE duke forcuar lidhjet mes njerëzve.

Por adresimi i problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme brenda BP, arritja e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive të tij mbeten sfida për Procesin e Berlinit.

“Këto çështje vazhdojnë. Ato kërkojnë përpjekje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe për të nxitur pajtimin në rajon. Rrënjosja thellë e këtyre sfidave në të kaluarën kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe qasje bashkëpunuese për të arritur rezultatet e dëshiruara”, thotë për DW , Emina Muminovic.

”Mangësitë kryesore janë tre „Jo”: nuk ka buxhet, nuk ka struktura, nuk ka kuadër legjislativ,” thotë për DW, Ardian Hackaj.

Ai thekson se Procesi i Berlinit punon me fondet e BE dhe bazohet kryesisht në acquis,  lidhur me kuadrin legjislativ në fushat përkatëse.

”Emërimi i Manuel Sarrazin i ka dhënë shtysë themeltare ketij procesi. Ndryshimet pozitive , që ky emërim ka sjellë janë të qarta, por mendoj që për më tutje duhet një plotësim dhe konsolidim i strukturave mbështetese, koordinim më i detajuar me Drejtorirë e Përgjithshme (DG) të linjës në Komisionin Europian, në sektorët ku Procesi i Berlinit mbështet Zgjerimin” thekson për DW, Ardian Hackaj.

Hendeku kohor mes nënshkrimit të marrëveshjeve rajonale, hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tyre përbën një tjetër mangësi të identifikuar.

„Ndryshe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria që kanë ratifikuar tre Marrveshjet e Mobilitetit, Bosnjë-Herzegovina përballet me vonesa në ratifikimin e marrëveshjeve për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Mjekët, Stomatologët dhe Arkitektët. Liria e Lëvizjes me karta identiteti është ende në pritje të miratimit nga qeveria e atjeshme. Edhe në Malin e Zi, tri marrëveshjet e Mobilitetit janë në pritje të ratifikimit”, thotë për DW, Emina Muminovic.

Ku duhet përmirësuar Procesi i Berlinit?

“Në zbatimin e marrëveshjeve rajonale që janë arritur zbatimi është thembra e Akilit – premtohet shumë por djalli fshihet në detaje dhe tempizmin e zbatimit. Shikoni marrëveshjen e Ohrit mes Serbisë dhe Kosovës apo ratifikimin nga Bosnjë-Herzegovina të marreveshjes për lëvizjen me karta identiteti! Për fat të keq është vendi i vetëm në BP që nuk e ka ratifikuar. Personat që e pengojnë ratifikimin dhe mbylljen e procesit duhen vënë para përgjegjësisë,” thotë për DW, Ardian Hackaj.

Procesi i Berlinit mbetet një nismë e shumëanshme që përfshin  dimensione teknike dhe ato politike.

“Një nga mangësitë apo sfidat kryesore në këtë proces është ndërveprimi ndërmjet këtyre dy aspekteve. Pa vullnet të fortë politik, potenciali për përparim pengohet ndjeshëm,” thotë për DW, Emina Muminovic.

Ajo thekson që duhet përmirësuar  komunikimi efektiv me qytetarët e BP që  „të kuptojnë implikimet dhe përfitimet e Procesit të Berlinit për të qënë qytetarë të informuar dhe të angazhuar.”

Pritshmëri nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë

“Pritshmëria kryesore është ripërtëritja e premtimit, se Ballkani Perëndimor është me të vërtetë pjesë e Evropës. Premtimi i BE, 20 vjet më parë, në Samitin e Selanikut, se e ardhmja e BP është në BE është i paplotësuar. Koha po mbaron. Të rinjtë, që lindën njëzet vjet më parë, janë dëshmitarë të premtimeve të pambajtura. Ky proces i stërzgjatur ka lodhur qytetarët e BP. Presim progres real në Samitin e Tiranës për të rikthyer shpresën e njerëzve dhe treguar që jemi në rrugën për t’u bërë pjesë e Evropës”, thotë për DW Emina Muminovic.

Ajo thekson se “adresimi i sfidave urgjente si ikja e trurit nga rajoni, ndotja e ajrit, siguria energjetike dhe tranzicioni i gjelbër” janë pritshmëri të tjera kryesore nga Samiti i Procesit të Berlinit  në Tiranë.

Rigjallërim i Procesit të Berlinit në sfond tensionesh të reja

Tensionet e kohëve të fundit në veri të Kosovës mund të kenë ndikim në rezultatet e pritshme nga samiti në Tiranë i këtij Procesi. Ҫfarë duhet bërë për të adresuar këtë situatë?

“Samiti në Tiranë duhet të ofrojë një platformë për adresimin e  tensioneve në fjalë ku të theksohet domosdoshmëria që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në dialog konstruktiv. Objektivi gjitëpërfshirës i Procesit të Berlinit mbetet promovimi i bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal. Shpresoj që të gjitha palët e përfshira ta kenë në vëmendje këtë parim themelor. Çdo samit i Procesit të Berlinit ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Kosova dhe Serbia kanë një aspiratë kolektive të përbashkët: të shkojnë përtej së kaluarës, për të reformuar kombet e tyre dhe krijuar një mjedis ku fëmijët e tyre mund të realizojnë aspiratat e tyre pa emigruar,” thotë për DW. Emina Muminovic./DW/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME