OP/ AN

Beteja e humbur me gjuhën shqipe

Nga Lutfi Dervishi/

Gjuha shqipe është histori mbijetese.

Ajo u ka bërë ballë kohërave, pushtimeve, ndalimeve dhe perandorive.

I mbijetoi Perandorisë Romake për rreth pesë shekuj.

I mbijetoi Perandorisë Bizantine për afro një mijëvjeçar.

I mbijetoi Perandorisë Bullgare dhe asimilimit sllav në Mesjetë.

I mbijetoi Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit.

I mbijetoi Perandorisë Osmane për gati pesë shekuj.

I mbijetoi censurës, ndalimeve dhe luftës së egër kundër shkollës shqipe.

I mbijetoi përpjekjeve për ta shkruar me alfabete greke, arabe e cirilike, apo me variante të copëzuara latine, derisa shqiptarët e unifikuan atë në Kongresin e Manastirit më 1908.

Arbëreshët e ruajtën për pesë shekuj larg atdheut.

Shqiptarët e Kosovës e mbrojtën në kohë represioni e aparteidi.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protesta për të drejtën për të mësuar, shkruar dhe studiuar në gjuhën amtare.

Prandaj, përpjekjet cinike në Shkup për të rikthyer shqipen në një “gjuhë të përqindjeve”, vendimet e Gjykatës Kushtetuese që prekin të drejtat e fituara, heqja e gjuhës shqipe nga tabelat e rrugëve, mohimi i të drejtës së studentëve shqiptarë për të dhënë provimin në gjuhën shqipe jane shenja të dëshpërimit të një politike që s’e pranon dot barazinë.

Është një paradoks i madh që Shkupi po u shpall luftë  gjuhës së  popullit shtetformues, ndërsa vetë përballet me Bullgarinë që ia mohon ekzistencën gjuhës maqedonase. Nëse Maqedonia e Veriut synon vërtet integrimin në Bashkimin Evropian, ajo duhet të shohë drejt modelit të vendeve si Belgjika (me tri gjuhë zyrtare) apo Zvicra (me katër), ku shumëgjuhësia është vlerë dhe shtyllë e stabilitetit, jo kërcënim.

Historia e ka dhënë tashmë përgjigjen: çdokush që ka hyrë në betejë me gjuhën shqipe, ka humbur. Edhe perandoritë më të fuqishme të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also
Close
Back to top button