“Të izoluar mes autostradës”, banorët e pesë fshatrave në Fier shpërthejnë ndaj bypass-it Mbrostar – Levan

Fier – Banorët e pesë fshatrave pranë bypass-it të autostradës Mbrostar – Levan po përballen prej muajsh me një situatë tepër problematike, e cila sipas tyre po u vështirëson jetën dhe po dëmton drejtpërdrejt ekonominë bujqësore të zonës.
Fermerët e fshatrave Fermë Çlirim, Radostinë, Hamil, Ndërmënas dhe Sulaj ankohen se mungesa e një segmenti lidhës prej 1.2 kilometrash në të dy anët e bypass-it i ka izoluar nga tokat e tyre bujqësore dhe nga hyrje-daljet në autostradë.
Sipas banorëve, ndërtimi i aksit është kryer pa menduar për aksesin e komunitetit lokal, duke bërë që qindra fermerë të detyrohen çdo ditë të përshkojnë deri në 4 apo 5 kilometra rrugë shtesë vetëm për të hyrë në pronat e tyre, ku kryejnë punimet bujqësore dhe transportojnë prodhimet.




Ata shprehen se situata është bërë tepër e rëndë sidomos gjatë sezonit të punimeve në bujqësi, pasi humbin kohë, shpenzojnë më shumë karburant dhe përballen me vështirësi të vazhdueshme për lëvizjen e mjeteve bujqësore.
“Na kanë prerë rrugën dhe na kanë izoluar. Për të hyrë në tokat tona duhet të bëjmë kilometra të tëra rrotull. Nuk kemi as dalje normale në autostradë dhe as lidhje mes dy krahëve të bypass-it”, shprehen banorët e zonës.
Sipas fermerëve, gjatë fazës së projektimit dhe nisjes së punimeve u ishte premtuar se sapo të përfundonin procedurat e shpronësimit do të realizohej edhe ndërtimi i akseve lidhëse për komunitetin. Ata thonë se kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues të institucioneve dhe autoriteteve përgjegjëse, por deri më tani problemi vazhdon të mbetet pa zgjidhje.






Banorët akuzojnë institucionet se mosmarrëveshjet për vlerat e shpronësimeve dhe vonesat në pagesat nga ana e qeverisë kanë bllokuar edhe ndërtimin e rrugëve dytësore që do të shërbenin për hyrje-daljet e fermerëve.
Sipas tyre, bypass-i që duhej të sillte zhvillim dhe lehtësi në qarkullim, në praktikë ka krijuar izolim për komunitetin e zonës dhe ka vështirësuar ndjeshëm aktivitetin bujqësor të dhjetëra familjeve që jetojnë me të ardhurat nga toka.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për përfundimin e procesit të shpronësimeve dhe ndërtimin e segmentit lidhës 1.2 kilometra, që do të bashkonte të dy anët e bypass-it dhe do t’u rikthente aksesin normal në tokat dhe pronat e tyre.
Ata paralajmërojnë se nëse situata vazhdon të mbetet e njëjtë, do të përshkallëzojnë reagimet e tyre për të kërkuar zgjidhje konkrete ndaj një problemi që, sipas tyre, po i lë të izoluar në mes të autostradës. /ALB365











