KULTURË

‘Diçka që do ta mbaj gjithmonë në zemër’, Alis reagon për herë të parë pas Eurovision

Dritat u fikën, duartrokitjet reshtën dhe sipari i Eurovision në Wiener Stadhalle të Vjenës, u ul për këtë vit. Shqipëria u kthye mbrapsht e renditur në vendin e 13-të, ndërsa Associated Press e vlerësoi si një nga 10 performancat më të mira.

Për Alisin vetë, përvoja e Eurovision është diçka që do ta mbajë gjithnjë në zemër. Kështu shprehet këngëtari në postimin e tij të parë pas konkurrimit, ku falënderimin e ka për mbështetjen e publikut. Ai shkruan për pikëpyetjet në nisje të rrugëtimit si artist i ri, peshën e përfaqësimit dhe dashurinë e kujtdo që i ka qëndruar pranë me votë, mesazhe apo fjalë. 

“Kur nisi gjithçka, m’u duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime dhe shpesh mendoja me vete nëse do arrija ta realizoja tamam ashtu siç e kisha ëndërruar. Sidomos si një artist i ri, pa shumë eksperiencë në një skenë kaq të madhe si Eurovisioni, ku nuk mban vetëm emrin tënd, por edhe peshën dhe krenarinë e përfaqësimit të një shteti të tërë.

Por gjatë gjithë këtij rrugëtimi, ajo që më ka dhënë më shumë forcë keni qenë ju. Mbështetja, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalët tuaja kanë pasur një vlerë që nuk di ta shpjegoj me fjalë. Në çdo moment kam ndjerë që nuk isha vetëm dhe kjo është ndjesia më e bukur që mund të marrë një artist.

Faleminderit secilit prej jush që besoi tek unë dhe tek muzika ime. Faleminderit që më keni bërë të ndihem krenar në çdo hap të këtij udhëtimi dhe që ma keni kthyer këtë eksperiencë në diçka që do ta mbaj gjithmonë në zemër.

Kam mësuar shumë nga ky rrugëtim, kam përjetuar emocione që nuk harrohen dhe mbi të gjitha kam kuptuar sa e fortë është ndjenja kur ke njerëz që të mbështesin me gjithë zemër.

Ky rrugëtim nuk do kishte të njëjtin kuptim pa ju”, përfundon Alis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button