Gazetari i njohur Lutfi Dervishi i ftuar në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, është shprehur se në lirinë e fjalës, medias, Shqipëria është me keq se në vitin 2013.
Gjatë bisedës në studio, Dervishi deklaroi se me gjërat, skandalet që kanë ndodhur në Shqipëri vetëm në 6 muajt e fundit, duhej të kishin rënë gjysma e qeverive në botë, por këtu është zhvlerësuar fjala.
‘Unë jam gazetar, ti je qeveritar, secili të bëjë punën e tij. Jo, unë po shoh se qeveritarët po bëhen gazetarë, po bëjnë produkte televizive, me mikrofon të vegjël dhe kamerat e veta, po bëjnë kronikat e gatshme, po bëjnë pyetjet, por japin dhe përgjigjet. Kështu në këtë sens nuk është më ajo distanca e shëndetshme që ti duhet të rrish strikt si gazetar, ai strikt në qeveri. Nuk janë më rregullat e lojës që kanë qenë.
Duhet të bëjmë disa krahasime. Gjendja e 2023 me gjendjen e 2013, jemi më mirë apo më keq në kuptimin e lirisë. Sigurisht që nuk jemi më mirë, në gjendje e lirisë, por as nuk jemi tek obobo.
Krahasimi i dytë është me rajonin. Nuk jemi më keq se rajoni, jemi më mirë se rajoni.
Krahasimi i tretë është me indekset ndërkombëtare, që për fat të keq kemi një lloj përkeqësimi.
Kryesisht gjatë këtyre 10 viteve kemi shkuar poshtë dhe kemi pasur ndonjë ngritje të lehtë.
Me gjërat që kanë ndodhur këtu, mund të ishin përmbysur gjysma e qeverive të botës, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, por këtu ka ndodhur një gjë që është zhvlerësuar fjala. Dhe ky proces ka qenë i mirëmenduar. Nxit dhe financo shumë televizione, shumë programe, kontrollo politikat editoriale, apo se cilët njerëz do të drejtojnë emisionet politike. Jepi rëndësi telenovelave, debateve pa bukë çdo natë, për të vlerësuar fjalën’, tha Lutfi Dervishi gjatë bisedës në SYRI TV.