Fatjon S, 28-vjeç është punonjësi i Gardës së Republikës që u vetëplagos me armë zjarri pasditen e kësaj të premte në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, dhe sipas policisë 28-vjeçari është paraqitur fillimisht në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe nga hetimet paraprake ka rezultuar se i riu është vetëplagosur me armën e shërbimit, teksa ishte duke e pastruar.
Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa mësohet se 28-vjeçari është shoqëruesi i kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 24.05.2024, rreth orës 18:00, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në SUT, shtetasi F. S., 28 vjeç, punonjës pranë Gardës së Republikës, i cili dyshohet se është vetëplagosur me armën e shërbimit. Në lidhje me rastin është njoftuar AMP, dhe në bashkëpunim me grupin hetimor po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.