Ish-presidenti amerikan Donald Trump u shpall fajtor për të 34 akuzat e ngritura për falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij në një skemë kriminale të dhënies së ryshfetit për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës.
Kjo është hera e parë që një ish-president amerikan ose në detyrë dënohet për një krim. Dënimi për të dotë shpallet më 11 korrik. Ish-presidenti mund të përballet me burg, por ekspertët ligjorë thonë se më e mundshme do të jetë një gjobë e majme. Trump e quajti vendimin një “turp” dhe sulmoi gjyqtarin Merchan, i cili kryesoi çështjen.
“Kjo çështje nuk ka përfunduar. Ky ishte një turp. Ky ishte një gjyq i montuar” – tha Trump duke dalë nga gjykata dhe duke mos pranuar t’u përgjigjet pyetjeve. Vendimi vjen teksa ai po bën fushatë për të mposhtur Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit dhe për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Vendimi erdhi pasi një juri diskutoi për më pak se 12 orë në gjyqin e parë penal të paprecedentë kundër një presidenti amerikan. Ky shënon një moment politik të rrezikshëm për Trumpin, kandidatin për nominimin republikan, për të cilin sondazhet kanë qenë të larta gjatë gjithë gjyqit. Trump u dënua nga një juri prej 12 njujorkezësh për falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Zyra e prokurorit e qarkut të Manhattanit deklaroi se Trump regjistroi në mënyrë të rreme pagesat që i bëri ish-avokatit të tij, Michael Cohen, i cili i pagoi yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels me 130 mijë dollarë që ajo të mos tregonte lidhjen e saj me Trump.
Prokuroria pretendoi se falsifikimet ishin bërë për të fshehur shkeljen e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut, gjë që e konsideron krim promovimin e zgjedhjes së çdo personi në detyrë përmes mjeteve të paligjshme.
Prokurorët argumentuan se këto mjete të paligjshme ishin pagesa prej 130 mijë dollarësh për Daniels, e cila ishte në fakt një kontribut i paligjshëm në fushatë. Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit thirri 20 dëshmitarë të cilët, gjatë 4 javëve, dhanë dëshmi se si Trump punoi për të fshehur lidhjet e tij me Daniels dhe modelen e Playboy, Karen McDougal.