Këshilli Evropian miratoi këtë të hënë një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila e cilësoi vendimin si arritje historike për Shqipërinë. Fondi është ndarë për të mbështetur forcat e armatosura shqiptare në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes. “Kjo nismë synon të forcojë aftësitë ushtarake të Shqipërisë dhe të rrisë sigurinë rajonale”, tha Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.
Zyra e BE-së tha se ndihma ka për qëllim rritjen e efektivitetit operacional të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes. Sipas saj, këto fonde do të forcojnë kapacitetin e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.
Në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes, Shqipëria do të sigurojë pajisje që nuk janë projektuar për të prodhuar forcë eliminimi fizik dhe, aty ku nevojitet, furnizime dhe shërbime të tjera, përfshirë trajnim teknik.
Forca tokësore shqiptare do të pajisjet me mjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, për të siguruar lëvizshmëri dhe manovrim të lartë në të gjitha llojet e terrenit dhe pavarësisht kushteve të motit, si dhe për të siguruar mbrojtjen e personelit ndaj armëve të lehta dhe eksplozivëve. Rreth tre muaj më parë, Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka hartuar strategjinë ushtarake 2024-2033, sipas së cilës, deri në vitin 2033, në radhët e ushtrisë shqiptare të shërbejnë mbi 9 mijë e 500 vetë, nga rreth 6 mijë e 500 sa janë aktualisht.