Thursday, December 5, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPërkujtohet Marsel Skëndaj, një nga pionierët e kapitalizmit shqiptar pas rënies së...

Përkujtohet Marsel Skëndaj, një nga pionierët e kapitalizmit shqiptar pas rënies së komunizmit

Rotary Club Tirana ka organizuar ceremoninë përkujtimore për një nga themeluesit dhe kontribuuesit më të mëdhenj të RC Tirana dhe të komunitetit rotarian në Shqipëri, të ndjerin Marsel Skëndaj.

Familjarë, miq dhe rotarianë janë bashkuar për të nderuar dy vite pas ndarjes nga jeta, figurën e Skëndaj, i një prej pionierëve të kapitalizmit shqiptar të pas viteve 90’ dhe kontributor të rëndësishëm në ngritjen e medias vizive, elektronike dhe të shtypit të shkruar në vend.

Aktiviteti dhe gjurma që ai ka lënë në mjedisin shqiptar kanë folur shumë më tepër sesa ai vetë. Nismëtar i prezantimit në sipërmarrjen e re shqiptare, të shumë risive të biznesit dhe prurjeve teknologjike perëndimore, Skëndaj nuk ngurroi të angazhohej në sektorë nga më të larmishmit, si import-eksport, ndërtim, internet provider, duke u njohur edhe si themeluesi i linjës së parë ajrore private në vend, Ada Air.

Në fjalën hapëse të ceremonisë, Presidenti i Rotary Club Tirana, z. Klodian Gllava, u shpreh se ceremonia i dedikohet nderimit të kujtimin e anëtarit me kontribute të veçanta, ndër themeluesit e klubin të parë rotarian në Shqipëri dhe Kosovë, të nderuarit Marsel Skëndaj.

“Rotary është një organizatë shërbimi, e fokusuar në misione humanitare në shërbim të komunitetit, në ndihmën për fëmijët dhe njerëzit në nevojë dhe e fokusuar në shëndetin mendor dhe fizik të popullatës.

Një nga traditat më të mira në moralin dhe etikën e Rotary-it është vlerësimi dhe respektimi i atyre njerëzve të mirë, vizionarëve dhe udhëheqësve, që bëjnë ndryshim në shoqëri.

I nderuari Marsel ishte i tillë gjatë gjithë jetës. Klubi Rotary Tiranë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm 31-vjeçar në këtë vend. Falë gurëve themelorë të vendosur nga i nderuari Marsel Skëndaj dhe shumë figurave të njohura rotariane, sot kemi nderin të gëzojmë Distriktin Shqipëri-Kosovë.

Është një ëndërr e bërë realitet ku 1100 anëtarët në Shqipëri dhe Kosovë punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë. Faleminderit, i nderuar Marsel, ne ia dolëm të bashkohemi”, u shpreh Gllava.

Ceremoninë e nderoi me pjesëmarrjen e tij Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj, si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj.

Presidenti Begaj iu shpreh se “personalisht jam një prej përfituesve të atyre projekteve që Marseli filloi në vitet 91’ dhe procesit të vaksinimit të hepatitit B.  Deri në atë kohë vaksinimi i hepatitit B nuk bëhej dhe të gjithë njerëzit i kujtojnë ato shiringat prej qelqi që ne bënim injeksionet”.

Ndërsa Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, në nder të Marsel Skëndaj dha lajmin se një rrugë pranë liqenit të Tiranës do të mbajë emrin e tij.

“Shpresoj shumë që nën shembullin e tij do të ketë një gjeneratë të re. Ndoshta frymëzimi i tij, imazhi i tij, vepra e tij, tek secili prej nesh do zgjojë atë ëngjëllin që ka brenda vetes që të bëjë më shumë, të jetë më i përulur, të japë më shumë.

Dua të falënderoj shumë klubin rotarian që na mblodhi bashkë, të gjithë njerëz të zënë që s’do ishim bërë kurrë bashkë, por merita juaj dhe ndoshta simboli kaq i fortë i njeriut të madh që mund të na bëjë bashkë përtej të gjithë punëve të ngarkuara që kemi.”

Për anëtarin e Rotary Club Tirana, Vladimir Pulaj, miku i tij Marsel Skëndaj ishte i veçantë edhe për devotshmërinë dhe iniciativën në shërbim të komunitetit.

“Kontributi i Marselit si anëtar i klubit e më pas si anëtar nderi do të ishte i pranishëm në çdo hap të rëndësishëm të zhvillimit të tij. Marseli, sa herë që u kërkua, vuri në dispozicion të klubit avionin e shoqërisë se tij ajrore, Ada Air, në realizimin e projektit më të rëndësishëm të Klubit Rotary të Tiranës, vaksinimin e të porsalindurve në mbarë Shqipërinë nga Hepatiti Viral B, program 3-vjeçar prej 1.500.000 dollarë.

Marseli pagoi bursën e një studenti për vite me radhë si pjesë e programit rotarian italo-shqiptar, “Adoptojmë një student”. Kontribuoi financiarisht dhe me logjistikë në të gjitha programet në të cilat u kërkua ndihmesa e tij”, u shpreh Pulaj.

Në fund të ceremonisë, Rotary Club Tirana njoftoi pranimin e vajzës së Marselit, Anisa Skëndaj, si anëtare për të vijuar rrugëtimin në gjurmët e të atit.

“Babai im dha shumë për misionin rotarian dhe unë jam e nderuar, por unë kam ardhur në këtë klub për të dhënë kontributin tim, përkushtimin tim të plotë dhe për të lënë gjurmën time në përmbushjen e kauzave rotariane për një shoqëri më të mirë”, u shpreh Anisa Skëndaj.

Znj. Skëndaj e filloi angazhimin e saj në Rotary duke iu bashkuar nismës “Adopto një student”, e cila synon tu vijë në ndihme studentëve në nevojë duke dhuruar një çek për këtë qëllim.Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME