AKTUALITETTOP-NEWS

“Zjarrfikësit e Qarkut Fier kërkojnë paga më të larta, mjete moderne dhe vendosje hidrantesh”

Në prefekturën e Fierit është zhvilluar paraditen e sotme një takim i posaçëm mes drejtuesve të reparteve zjarrfikëse të gjashtë bashkive të qarkut, përfaqësuesve të policisë vendore dhe këshilltarit të Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj. Në fokus të diskutimeve ishin problematikat që shoqërojnë punën e përditshme të efektivëve zjarrfikës, të cilët shpesh përballen me situata të rrezikshme pa mjetet e nevojshme dhe pa shpërblimin e merituar.

Shefat e reparteve zjarrfikëse kërkuan rritje pagash, furnizim me mjete të rënda dhe të lehta për fikjen e zjarreve, si dhe vendosjen e hidranteve në zonat e banuara. Ata theksuan se pa këto mjete është e vështirë t’u jepet goditja e parë vatrave të flakëve, çka shpesh sjell përhapjen e zjarreve në sipërfaqe të mëdha.

Prefekti i qarkut Fier, Arben Çuko, në fjalën e tij vlerësoi punën e deritanishme të zjarrfikësve, por theksoi se bashkia më problematike mbetet ajo e Mallakastrës, për shkak të terrenit të thyer, shtrirjes së gjerë gjeografike dhe mungesës së hidranteve, gjë që e bën të vështirë ndërhyrjen e shpejtë.

Arben Çuko

Nga ana tjetër, këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, u pyet lidhur me dyshimet se zjarret mund të jenë ndezur qëllimisht për pastrime tokash në funksion të vendosjes së paneleve diellore. Ai pohoi se ka pasur raste zjarrvëniesh të qëllimshme, por jo me qëllim shfrytëzimi të tokave për energji të rinovueshme.

Flamur Mamaj

Takimi u mbyll me zotimin se kërkesat e zjarrfikësve do t’i përcillen Ministrisë së Brendshme, me synimin që efektivët të pajisen me mjetet e nevojshme për t’i bërë ballë sezonit të vështirë të verës dhe rrezikut të përhershëm nga flakët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button