Ndahet nga jeta aktori i Game of Thrones

Aktori irlandez Michael Patrick, i njohur për një rol në serialin Game of Thrones, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare.
Lajmin e hidhur e konfirmoi bashkëshortja e tij, Naomi Sheehan, përmes një postimi në Instagram, duke bërë të ditur se ai ndërroi jetë në Irlandë.
Patrick vuante nga Motor Neuron Disease, një sëmundje neurologjike që dëmton neuronet motorike – përgjegjëse për funksione jetike si ecja, frymëmarrja, të folurit dhe gëlltitja. Ai ishte diagnostikuar me këtë sëmundje në shkurt të vitit 2023.
“U shtrua në spital 10 ditë më parë dhe u kujdes nga një staf i jashtëzakonshëm. U nda nga jeta në paqe, i rrethuar nga familja dhe miqtë,” shkroi bashkëshortja e tij.
Ajo shtoi se familja është “e shkatërruar” nga humbja, ndërsa e përshkroi Patrick si një frymëzim për të gjithë ata që e kanë njohur.
“Ai jetoi një jetë të plotë – me gëzim, energji dhe një të qeshur ngjitëse,” u shpreh ajo.
Në një nga postimet e tij të fundit në Instagram, më 6 shkurt, aktori kishte treguar se mjeku i kishte dhënë rreth një vit jetë.
“Nuk dua të rrezikoj të kaloj një pjesë të madhe të kësaj kohe në një shtrat spitali. Kam ende shumë për të jetuar dhe shumë plane,” kishte shkruar ai.
Sipas profilit të tij në IMDb, Patrick kishte një rol në sezonin e gjashtë të “Game of Thrones” në vitin 2016, ku interpretoi në episodin “The Broken Man”.
Përveç kësaj, ai ishte pjesë e disa prodhimeve televizive dhe teatrale, përfshirë serialet “Blue Lights”, “This Town” dhe “The Spectacular”.











