
Një sukses i veçantë me rrënjë shqiptare vjen nga Italia, ku 9-vjeçarja Emma Dakoli ka bërë histori në festivalin e njohur për fëmijë “Zecchino d’Oro”.
Emma, me origjinë familjare nga Durrësi dhe me banim në Monza, u shpall fituese e edicionit të 68-të të festivalit, duke u bërë vajza e parë me origjinë shqiptare që arrin këtë rezultat.
Ajo triumfoi me këngën “Ci pensa il vento”, duke impresionuar jurinë dhe publikun me interpretimin e saj.
Finalja u zhvillua në skenën e Antoniano-s në Bologna, ku Emma u shoqërua nga Piccolo Coro dell’Antoniano, ndërsa spektakli u transmetua në Rai Uno dhe u drejtua nga Carlo Conti.
Fitorja e 9-vjeçares është cilësuar si një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Itali dhe një tjetër dëshmi e talentit të brezit të ri të diasporës.
Nga rrënjët shqiptare te skena e një prej festivaleve më të njohura të fëmijëve në Itali, Emma Dakoli shkroi një faqe të re historie me zërin e saj.








