
Sarandë – Tetori po mbyllet, por në Sarandë dhe Ksamil sezoni turistik duket se nuk njeh kalendar. Edhe pse fluksi i pushuesve është reduktuar ndjeshëm, një pjesë e bizneseve vijojnë të mbajnë dyert hapur, duke mirëpritur turistët dhe vizitorët që zgjedhin të shijojnë bregdetin edhe në ditët e fundit të vjeshtës.
Është një periudhë me më pak zhurmë, më pak klientë, por jo pa aktivitet. Pas muajve intensivë të verës, sipërmarrësit kanë nisur të bëjnë bilancin e sezonit, duke vlerësuar rezultatet, sfidat dhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm.
Një prej tyre është Hysen Mane, i cili nuk ngurron ta cilësojë sezonin që po lëmë pas si të shkëlqyer.
“Ky sezon ishte i shkëlqyer”, shprehet ai, duke ia atribuuar këtë rezultat përmirësimit të cilësisë së ofertës turistike. Por, për Hysenin, një pjesë e rëndësishme e suksesit lidhet edhe me produktin që e ka bërë të veçantë këtë zonë: midhjen e Liqenit të Butrintit, e cila falë kushteve të veçanta të ujit, ku ndërthuren ujërat e ëmbla me ato të kripura, ka një shije karakteristike.

Në restorantin e tij, ku natyra është pjesë e pandarë e përvojës, takohen vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Përveç gatimeve tradicionale, turistët kanë mundësinë të zbulojnë edhe një shumëllojshmëri recetash me bazë midhjen, sipas shijeve dhe preferencave të tyre.
Por përvoja nuk përfundon te pjata. Ka edhe nga ata që duan të shohin nga afër se si kultivohet ky produkt, si rritet dhe si vendoset në vargje në impiantet e Liqenit të Butrintit. Për shumë vizitorë, kjo është një përvojë e veçantë, që i afron me procesin e prodhimit dhe traditën e zonës.
Një tjetër veçanti e këtij biznesi është ndërthurja e gastronomisë me turizmin përmes guidave në impiantet e midhjes.
Ndërsa presin të drekojnë apo të darkojnë, klientëve u ofrohet mundësia të vizitojnë edhe zonat ku kultivohet midhja. Kureshtja e turistëve dhe kërkesat e shumta për këto guida janë aq të mëdha, sa në jo pak raste krijohen edhe radhë. Shërbimi realizohet përmes dy skafeve, të cilat mundësojnë lëvizjen e vizitorëve në impiante.
Hysen Mane ka më shumë se 30 vite që është i lidhur me brigjet e Liqenit të Butrintit dhe aktivitetin e kultivimit të midhjes. Përvoja e gjatë e ka bërë njohës të mirë të kushteve të liqenit, thellësive dhe karakteristikave të tij. Ai flet me detaje për ekosistemin, mënyrën e kultivimit dhe potencialin ekonomik të këtij aktiviteti.
Përmasat e prodhimit janë të konsiderueshme.
Në një impiant mund të ketë rreth 5 mijë vargje kultivimi, ndërsa kapaciteti mbajtës i të gjithë liqenit llogaritet në rreth 5 mijë tonë midhje. Shifra që tregojnë se pas një produkti që shpesh mbërrin në tryezën e turistëve fshihet një aktivitet i tërë ekonomik, i ndërtuar mbi përvojën, punën dhe njohjen e natyrës.


Megjithatë, biznesi i midhjes nuk është aspak i lehtë. Ai kërkon kujdes të vazhdueshëm në kultivim, transport të shpejtë për të ruajtur freskinë, përpunim të kujdesshëm dhe, mbi të gjitha, mjeshtëri në përgatitjen dhe servirjen e saj.
Në Liqenin e Butrintit, midhja nuk është thjesht një produkt deti, por një identitet gastronomik dhe një mundësi për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
Dhe ndërsa tetori po i lë vendin nëntorit, Saranda dhe Ksamili dëshmojnë se turizmi nuk përfundon domosdoshmërisht me mbylljen e sezonit veror. Për sa kohë ka vizitorë, biznese që punojnë dhe produkte autentike që ia vlen të zbulohen, sezoni mund të vazhdojë edhe përtej kalendarit.












