POLITIKËTOP-NEWS

PD Fier drejt zgjedhjeve, Ardian Fero konfirmon kandidimin për kryetar

Ardian Fero kandidon për kreun e PD-së Fier, më 7 nëntor demokratët zgjedhin drejtuesin e ri të degës

Ardian Fero ka konfirmuar kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike, dega Fier, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 7 nëntor 2026.

Përmes një mesazhi drejtuar demokratëve të Fierit, Fero ka bërë një bilanc të pesë muajve në drejtimin e degës, ku u ngarkua me detyrën për riorganizimin, ripërtëritjen dhe forcimin e strukturave të partisë. Ai ka falënderuar kreun e PD-së, Sali Berisha, si dhe anëtarët e grupit të punës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe.

Fero thekson se, pavarësisht vështirësive dhe punës së mbetur për t’u bërë, procesi është zhvilluar me përkushtim, duke vënë në fokus bashkimin e demokratëve, hapjen e partisë, meritokracinë dhe aktivizimin e të rinjve.

Ndërkohë, gara për drejtimin e PD-së Fier pritet të marrë formë gjatë ditës së sotme, pasi kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë emrat e tyre. Lista do t’i përcillet Kryesisë së Partisë Demokratike në Tiranë, e cila do të shqyrtojë kandidaturat dhe do të përcaktojë emrat që do të garojnë për kreun e degës në Fier.

ALB365 mëson se deri më tani kandidstër që kanë plotësuar dokumentacionin që do ti dërgohet kryesisë së PDSH në Tiranë janë Enkelejda Veliu, Gentian Koçi, Fation Semanjaku, Festim Meta etj.

Më 7 nëntor 2026, demokratët e Fierit do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të degës, në një proces që pritet të përcaktojë drejtimin dhe të ardhmen organizative të PD-së në këtë qytet.

Fjala e Ardian Ferro

NJË FALËNDERIM, NJË PËRGJEGJËSI DHE NJË ANGAZHIM PËR TË ARDHMEN E PD-së FIER
Të dashur demokratë të Fierit,
Pesë muaj më parë m’u besua një detyre e rëndësishme dhe njëkohësisht një përgjegjësi jo e lehtë: drejtimi i Partise Demokratike, dega Fier, me misionin për të nisur procesin e riorganizimit, ripërtëritjes dhe forcimit të saj.

Dua, së pari, të shpreh mirënjohjen time për besimin që m’u dha dhe për mundësinë që të kontribuoja në këte proces. Një falënderim të veçantë kam per Liderin e Partise Demokratike Prof Dr Sali Berisha qe me besoi kete detyre si dhe për çdo anetar të grupit të punës, me të cilin bashkëpunuam gjatë këtyre muajve. Përkushtimi, koha dhe energjia e tyre ishin një ndihmë e çmuar në këtë rrugëtim.

Nuk ishte një sfidë e lehtë. Përkundrazi, ishte një punë që kërkonte durim, vendosmëri, përgjegjësi dhe mbi të gjitha vullnet për të përballuar vështirësitë. Kishte shumë punë për të bërë, shumë probleme për të zgjidhur dhe shumë besim për të rikthyer.

Nuk pretendoj se kemi arritur gjithçka që dëshironim, por mund të them me bindje se kemi punuar me ndershmëri dhe përkushtim, duke bërë përpjekjen tonë më të mirë për interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve të Fierit.

Unë e kam parë këtë detyrë jo si një privilegj personal, por si një shërbim ndaj partisë, ndaj njerëzve që kanë qëndruar besnikë ndaj idealeve demokratike dhe ndaj të gjithë atyre që besojnë se Shqipëria meriton një të ardhme më të mirë.

Të shtunën, më 7 nëntor, demokratët e Fierit do të zgjedhin kryetarin e ri të degës. Unë kam vendosur të kandidoj, duke vënë në dispozicion të kësaj përgjegjësie përvojën, energjinë dhe vullnetin tim për të çuar përpara punën e nisur.

Besoj se ripërtëritja nuk është thjesht ndryshim emrash apo strukturash. Ajo kërkon bashkim, hapje, meritokraci, aktivizim të të rinjve, vlerësim të kontributit të çdo demokrati dhe një parti ku secili të ndihet pjesë dhe të ketë zërin e vet.
PD-ja e Fierit duhet të jetë një forcë e organizuar, e bashkuar dhe e aftë për të përballuar sfidat politike që kemi përpara.

Nuk kërkoj të gjykohem nga premtimet, por nga puna e bërë, nga përkushtimi i treguar dhe nga ajo që mund të ndërtojmë së bashku.
Demokracia brenda partisë fillon me besimin, vazhdon me përgjegjësinë dhe forcohet me bashkëpunimin.

Me përulësi dhe respekt, falënderoj çdo demokrat që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, bindja ime mbetet se interesi i Partisë Demokratike duhet të jetë mbi çdo ambicie individuale.

Unë besoj te një PD e bashkuar, e ripërtërirë dhe e fortë. Një PD që nuk jeton me lavdinë e së kaluarës, por ndërton me guxim të ardhmen.
Së bashku për një PD më të fortë në Fier!

Me respekt dhe mirënjohje,
Ardian Fero

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button