BOTA

E zbuloi një bari/ Izraeli ndërtoi fshehtas një bazë në shkretëtirën e Irakut

Izraeli ndërtoi fshehtas një strukturë ushtarake në shkretëtirën e Irakut për të mbështetur operacionin ushtarak kundër Iranit. Nga aty nisi sulme ajrore kundër trupave irakiane të cilat e zbuluan atë vetëm në fillim të luftës.

Izraeli e ndërtoi objektin, i cili strehonte forca speciale dhe shërbente si qendër logjistike për forcat ajror , pak para fillimit të luftës dhe me dijeninë e Shteteve të Bashkuara, thanë për Washington Post burime nga administrata e SHBA.

Atje u vendosën ekipe të kërkim-shpëtimit në rast se ndonjë avion izraelit do të rrëzohej. Kur një avion luftarak amerikan F-15 u rrëzua pranë Isfahanit në Iran, izraelitët ofruan ndihmë, por forcat amerikane arritën vetë shpëtimin e dy pilotëve, sipas njërit prej burimeve. Megjithatë, Izraeli kreu sulme ajrore për të mbrojtur operacionin.

Baza u zbulua për shkak të një bariu

Baza izraelite u ekspozua në fillim të marsit. Mediat shtetërore irakiane raportuan se një bari kishte raportuar për aktivitet të pazakontë ushtarak në zonë, përfshirë fluturime me helikopterë, duke bërë që ushtria irakiane të dërgonte njerëz për të hetuar.
Izraeli i mbajti ata në distancë përmes sulmeve ajrore, tha një nga burimet me njohuri për çështjen.

Qeveria irakiane e kishte dënuar sulmin në atë kohë, i cili vrau një ushtar irakian. “Ky operacion i pamatur u krye pa koordinim ose miratim”, – thanë autoritetet shtetërore irakiane.

Në një ankesë të paraqitur më vonë në mars në OKB, Iraku tha se sulmi përfshinte forca të huaja dhe sulme ajrore, duke ia atribuar atë SHBA-së. Megjithatë, sipas burimeve, SHBA-të nuk ishin të përfshira në sulm.

Konflikti u mbulua gjerësisht nga mediat irakiane dhe arabe dhe shkaktoi spekulime të forta rreth identitetit të personave të përfshirë.

Pas ankesës së bariut, ushtarët irakianë hipën në automjete dhe u zhvendosën drejt zonës. Grupi u qëllua me armë, duke humbur jetën një ushtar dhe plagosur dy të tjerë. Autoritetet irakiane dërguan dy njësi të tjera nga Shërbimi Kundër Terrorizmit, i cili kishte luajtur një rol të madh në luftën kundër Shtetit Islamik, për t’u bashkuar me kërkimin. Forcat gjetën prova se njësitë ushtarake kishin qenë vërtet atje.

Një zëdhënës i qeverisë irakiane nuk pranoi të komentojë më tej mbi incidentin ose të konfirmojë nëse Bagdadi ishte në dijeni të ekzistencës së bazës izraelite. SHBA-të kanë kryer sulme të përsëritura në Irak për të mbrojtur bazat e veta.

Mënyra e veprimit të Izraelit

Detajet e bazës – dhe rreziqet që Izraeli mori për ta krijuar dhe mbrojtur atë – tregojnë se si ai arriti të kryente një fushatë ajrore kundër një armiku të vendosur rreth 1,600 kilometra larg.

Baza në Irak i lejoi Izraelit të ishte më afër fushës së operacioneve. Sipas të njëjtave burime, ekipet e kërkim-shpëtimit u vendosën atje në mënyrë që të mund të reagonin më shpejt ndaj misioneve të mundshme emergjente. Atje ishin vendosur edhe forca speciale të trajnuara për operacione komando në territorin armik.

Forcat Ajrore Izraelite kryen mijëra bastisje kundër objektivave në Iran gjatë konfliktit 5-javor. Sipas ekspertëve të sigurisë, forcat amerikane shpesh krijojnë baza të përkohshme operative pak para operacioneve të mëdha. Një bazë e improvizuar u ngrit gjithashtu brenda Iranit për operacionin e shpëtimit të pilotëve amerikanë kur avioni i tyre u rrëzua në fillim të prillit.

SHBA-të shkatërruan avionë dhe helikopterë gjatë misionit. “Është normale që para operacioneve të bëhet zbulimi dhe të krijohen këto lloj vendesh”, – thotë analisti Michael Knights.

Avantazhi i shkretëtirës

Shkretëtira perëndimore e Irakut është e gjerë dhe pak e populluar, duke e bërë atë ideale për baza të përkohshme, thekson Knight. Forcat speciale amerikane e kishin përdorur gjithashtu zonën në operacionet kundër Sadam Huseinit në vitet 1991 dhe 2003.

Banorët e shkretëtirës kanë qenë dëshmitarë të aktiviteteve të çuditshme për vite me radhë, nga grupet militante si Shteti Islamik deri te njësitë e operacioneve speciale, dhe kanë mësuar të mbajnë distancën, tha Knight.

Ai tha se vendasit i thanë se kishin vërejtur aktivitet të pazakontë helikopterësh në zonë gjatë luftës Iran-Irak. Zyrtarët izraelitë kanë lënë të kuptohet se ka pasur operacione të fshehta gjatë konfliktit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button