Kevin Hart reagon pas akuzave për festat e Sean “Diddy” Combs

Kevin Hart ka mohuar publikisht pretendimet e Katt Williams se ai ka marrë pjesë shpesh në festat famëkeqe të organizuara nga Sean “Diddy” Combs, gjatë spektaklit të Netflix, The Roast of Kevin Hart.
Gjatë performancës së tij në fund të mbrëmjes, Hart reagoi ashpër ndaj batutave të Williams, duke deklaruar se kishte marrë pjesë vetëm në një festë të Diddy-t dhe se edhe vetë Williams kishte qenë i pranishëm aty.
“Kam qenë vetëm në një festë dhe arsyeja pse ai e di këtë është sepse ishte aty edhe vetë,” tha Hart para publikut, duke shtuar se Williams po “gënjen” dhe se njerëzit nuk duhet t’i besojnë pretendimeve të tij.
Më herët gjatë roast-it, Williams kishte ironizuar Hart duke përmendur thashethemet që lidhin emrin e tij me festat e Diddy-t. Ai bëri disa batuta lidhur me akuzat dhe procesin gjyqësor ndaj Combs, i cili në vitin 2025 u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportim për prostitucion pas një gjyqi shumë të komentuar në Nju Jork.
Megjithatë, Williams theksoi në skenë se pjesëmarrja në ato festa nuk nënkupton se Hart ka kryer ndonjë shkelje.
Pavarësisht thumbimeve dhe shakave të forta, dy komedianët duket se hodhën pas krahëve konfliktin e tyre shumëvjeçar. Në një moment emocional në skenë, Hart dhe Williams shtrënguan duart dhe u përqafuan.
Në fund të spektaklit, Hart tha se e vlerësonte faktin që Williams pranoi të merrte pjesë në roast dhe deklaroi se “beef-i” mes tyre kishte marrë fund.
“Që nga sot, unë dhe Katt jemi miq,” u shpreh ai.









