Humbi jetën në aksident në Itali, identifikohet adoleshenti shqiptar

Mbrëmjen e së premtes, një i ri shqiptar ka humbur jetën pranë Piazza Milite Ignoto në Monopoli. Viktima është identifikuar si Klevis Kalliu, 19 vjeç. Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte në sediljen e pasme të një automjeti tip “Mercedes”. Ky mjet u përplas me një “Toyota Auris”, në një goditje aq të fortë sa të dyja makinat kanë dalë jashtë kontrollit. Ato u përplasën edhe me disa mjete të tjera të parkuara, mes të cilëve dhe një furgon “Citroen”.
Edhe pse mjekët tentuan ta risillnin në jetë 19-vjeçarin përmes masazhit kardiak dhe e transportuan me urgjencë në spitalin ‘San Giacomo’, i riu fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte. Nga aksidenti mbetën të lënduar lehtë edhe gruaja që drejtonte Toyota-n dhe një pasagjer te Mercedes-i. Autoritete bllokuan qarkullimin për disa orë për të kryer ekspertizën e plotë të ngjarjes.








