Historia prekëse e Bajramit dhe Hasimesë, çiftit të pensionistëve që mbijeton me bimët medicinale të malit

Mallakastër – Në një shtëpi të thjeshtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, larg zhurmës së qytetit dhe mes kodrave të mbushura me ullinj e bimë të egra, jetojnë Bajram dhe Hasime Mahmutaj. Ai 70 vjeç, ajo 61, një çift pensionistësh që prej më shumë se 30 vitesh vazhdojnë të mbledhin bimë medicinale për të siguruar mbijetesën.
Të dy zgjojnë ditën herët. Me thasë në krah dhe hapa të ngadaltë nga pesha e viteve, marrin rrugët e maleve për të mbledhur shtog, hithra, rigon, balzam e bimë të tjera që dikur u siguronin të ardhura të mjaftueshme për familjen.
Sot, jeta për ta është bërë shumë më e vështirë. Bajrami merr vetëm një pension minimal prej 100 mijë lekësh të vjetra, ndërsa një pjesë e mirë e të ardhurave shkon për ilaçet e zemrës. Megjithatë, ai nuk heq dorë nga puna që ka bërë gjithë jetën.
“Dikur kjo punë na mbante familjen. Sot mezi nxjerrim bukën e gojës,” – thotë pensionisti, ndërsa duart e tij tregojnë gjurmët e viteve të punës në natyrë.





Pranë tij qëndron Hasimeja, bashkëudhëtarja e jetës dhe e sakrificave. Ajo kujton me mall kohën kur i gjithë fshati gumëzhinte nga njerëzit që merreshin me bimët medicinale. Sipas saj, dikur mbi 50 banorë të zonës dilnin maleve për mbledhjen dhe kultivimin e tyre, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 10 persona.
Pesë fëmijët e çiftit jetojnë në emigracion, si shumë të rinj të kësaj zone që janë larguar në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa fshati zbrazet çdo vit, Bajrami dhe Hasimeja vazhdojnë të jetojnë mes kujtimeve, punës dhe shpresës se tradita e bimëve medicinale nuk do të zhduket plotësisht.





Çifti flet edhe për tokën që kishin me 7501 por azhornimi dhe EAlbania ja kan nxjerr në vend tjetër dhe nuk gjejnë zgjidhje askund
Historia e tyre është historia e shumë familjeve të Çorushit, një zonë që dikur jetonte nga tokat e mbjella me ullinjë, vreshtari e frutikulturë dhe natyra, por që sot po përballet me varfërinë, plakjen dhe emigracionin. /ALB365









