Skandal në Përmet/ Thertore e paligjshme në banesë, mbetjet hidheshin në lumin Vjosë! Pranga 62- vjeçari.

Policia e Përmetit ka zbuluar një aktivitet të paligjshëm të therjes së bagëtive në fshatin Qilarisht, ku një 62-vjeçar kishte përshtatur një ambient të banesës së tij si thertore, jashtë çdo standardi higjieno- sanitar. Sipas hetimeve, mbetjet e therjes shkarkoheshin përmes një tubacioni direkt në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe të ujërave.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. L., 62 vjeç, u zbulua një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta. Në vendngjarje u gjetën dhjetëra krerë bagëti në proces therjeje, si dhe kafshë të therura. Po ashtu, policia sekuestroi dhjetëra matrikuj për bagëti, të dyshuara si të falsifikuara.
Nga verifikimet rezultoi se mbetjet e therjes përfundonin në lumin Vjosë përmes një tubacioni të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore.
AKU bllokoi menjëherë ambientin ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm dhe ndëshkoi pronarin me një masë administrative prej 200 mijë lekësh të rinj.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Policia arrestoi në flagrancë 62-vjeçarin A. L., i cili akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndotja e ujërave”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal ndaj dy veterinerëve, L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat që u ngarkon ligji për bagëtitë në pronësi të 62-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit thekson se do të vijojë goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që dëmton mjedisin, cenon sigurinë ushqimore dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.









