25 vite mes sfidave dhe suksesit, historia e fermerit Agur Çepele që ngriti me duart e tij një perandori mollësh në Roskovec

Rroskovec – Nga një copë tokë te plantacioni i suksesshëm i mollëve – rrëfimi i fermerit të njohur të Roskovecit, Agur Çepele
Prej më shumë se 25 vitesh, Agur Çepele është një nga fermerët më të njohur të zonës së Roskovecit, i cili me punë, përkushtim dhe investime të vazhdueshme ka ngritur një nga plantacionet më të mëdha të mollëve në këtë zonë.
Në një intervistë, ai tregon se si nisi gjithçka më shumë se dy dekada më parë, kur vendosi të investonte në pemëtari, duke mbjellë plantacionin e mollëve që sot është burimi kryesor i të ardhurave për familjen e tij. Sipas Çepeles, vitet më të mira kanë qenë ato kur prodhimi ishte i bollshëm dhe cilësia e frutave u vlerësua maksimalisht nga tregu.
Megjithatë, rruga nuk ka qenë e lehtë. Fermeri rrëfen se gjatë gjithë këtyre viteve është përballur me mungesën e tregjeve të organizuara për shitjen e prodhimit. Ai thekson se nuk ka pasur mbështetje në gjetjen e tregut, por ka qenë vetë ai që ka siguruar blerësit për mollët e prodhuara.
Një tjetër problem që rëndon mbi fermerët, sipas tij, është rritja e vazhdueshme e çmimeve të pesticideve dhe herbicideve. Kostoja e lartë e këtyre produkteve, thotë ai, ka ndikuar ndjeshëm në buxhetin e fermës, duke ulur fitimin dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e aktivitetit.





Përveç plantacionit të mollëve, Agur Çeçele ka marrë edhe sipërfaqe toke me qira, ku ka investuar në kultura të ndryshme pemëtarie, duke zgjeruar aktivitetin e tij bujqësor.
Në intervistë ai ngre edhe një shqetësim që lidhet me bashkinë e Roskovecit. Sipas tij, pasi mbolli disa fidanë ulliri pranë rrugës, vendosi një rrjetë teli vetëm për t’i mbrojtur derisa të rriteshin. Ai pretendon se nga bashkia iu kërkua ta hiqte këtë rrjetë, ndërsa, sipas tij, nuk është ndërhyrë për pastrimin e ferrave dhe shkurreve që ndodhen pranë rrugës kryesore në të njëjtën zonë. Bashkia më dërgoi shkresë mua që isha qeramarrës i tokës dhe nuk i dërgoi pronarit të saj, tha ai.
Pavarësisht vështirësive, Agur Çepele shprehet se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga bujqësia. Ai beson se me më shumë mbështetje për fermerët, krijimin e tregjeve të sigurta dhe uljen e kostove të prodhimit, sektori i bujqësisë mund të zhvillohet edhe më tej dhe të mbetet një burim i rëndësishëm i ekonomisë në zonën e Roskovecit./ALB365









