OP/ AN

I DASHUR KEQBËRËSI IM!


Esse nga Pëllumb Kulla
Ti po plakesh… Megjithëse thinjat janë simbol i një jete të gjatë me vepra të ndershme, për çudi, edhe ti po thinjesh!

Njeriu s’ka se si të mos sjellë ndërmend ata njerëz, që i dhanë hov dhe e shtynë të bëjë përpara.
E pas tyre, e në mes tyre, mua më fanitej përfytyrimi yt i urryer, o keqbërësi im i shtrenjtë. Po, po, edhe drejt teje gulshon mirënjohja ime e pakufishme.

Të falenderoj për intrigën dhe shpifjet e tua të goditura. Falë tyre, mua më degdisën larg, në një punë të rëndë, që më duhej ta bëja pa dëshirë.Isha njëzetepesë vjeç atëhere dhe dashuroja gruan që kam sot.

E në ato netë të hidhura, larg mamasë që drithëronte për mua, larg vajzës që dashuroja, unë më shumë se për ato të dyja, mendoja pë ty, o keqbërësi im i shtrenjtë. Të urreja. Të urreja, të urreja! Ishte një urrejtje ngjethëse, e pamasë. Dhe urrejtjet e mëdha, ashtu si dashuritë e mëdha, të shtyjnë drejt të pamundurës. Shkurt, ato mund të të zbërthejnë energji, që ti kurrë nuk ke menduar se i ke brenda vetes.
Nuk qava asnjëherë. As grushtat nuk i kafshova. Vija duart nën zverk dhe të sillja në mend ty. Ti, lart e poshtë, vazhdoje t’i jepje fund veprës tënde. Ndërkaq, deshe që unë të dëshpërohesha: unë bëja çmos që ta shporrja dëshpërimin! Ti deshe që unë të zija shtratin, të sëmuresha: unë e ruaja me kujdes shëndetin! Bile, as shtrirë nuk doja të rrija, meqë kjo të pëlqente ty.
Atëhere ngrihesha dhe filloja të lexoja e të mësoja. E nxëna nuk merr fund kurrë. Hapja librat dhe shënimet e dikurshme, u kthehesha ideve, skicave dhe projekteve që pata endur hera-herës. Studjoja gjuhë të huaja. Përleshesha me gjermanishten. Dhe ndodhte që pastruesja e hotelit, të cilës unë i bëja qefin duke e thirrur ‘mama’, shqyente sytë, kur afronte veshin tek dera ime dhe më dëgjonte tek ngrija zërin në atë gjuhë të largët: ” Zetcen zi zih! Ih habe di gance naht, kajne auge cugetan!”

Dilja rrallë… Kur dilja, lahesha dhe vishesha pastër. Nuk desha të gjenin çregullime në pamjen time. Kryet nuk i mbaja aspak lart, por sido të qe, kurrësesi poshtë! Nuk dukesha i zymtë, e këtë nuk e kisha vështirë, se nuk isha ashtu vërtet. Fytyra ime ishte e çelur, pa qenë fare e shtirur.

Oh, le të jem edhe një herë njëzetepesë vjeç, pa le t’i kaloj edhe një herë ato andralla! Në atë moshë gjaku shkon me gulshe në tërë skajet e trupit e zemra gufon nga urrejtja e madhe për ligësitë.

Ti, miku im keqbërës, deshe që unë të futesha nëpër pijetore, të pija e të humbisja nëpër avujt e verës e të rakisë: unë nuk vura alkol në gojë!
Ti deshe që unë t’i braktisja ëndrrat e mia, por unë u bëra më tej ëndërrimtar. Bile u vura të projektoja. Shoqëria njerëzore nuk kish pse të mos priste nga unë. Ajo u tregua e pavëmendëshme dhe, natyrisht, e pafuqishme teksa më la për shume vite prè të zullumit tënd. Këto janë rastet, që e kanë pjekur të thënmen e njohur, se jeta nuk është fushë me lule!

Kohët e vrenjtura kaluan.
Të vërtetat, i dashuri im, herët a vonë, dalin në dritë. E kur dalin në dritë të vërtetat, acar të jetë – çelin lulet! Bilbilat ia nisin këngës e bien për festë këmbanat e botës për qark. Gëzojnë njerëzit. Se ja, besoje, rreth nesh kemi shumë, shumë më tepër njerëz të mire, se sa të liq.
Ligësia yte vazhdon edhe sot. Ende mundohesh të më qëllosh, por goditjet e tua tani janë të pafuqishme dhe, më së shumti, nuk arrijnë fare këtu, për ku i nis ti.

Ti do që unë të mos ze gjë me dorë, apo, së paku, të bëj punëra pa vlerë. Një punë të dobët e bën një njeri, i cili, o nuk është i zoti, o është i lodhur: unë kisha një ashk të tillë, sa që punën ta prishja e ta rinisja aqë herë, sa në fund të dukesha edhe i zoti! Kushdo mund të punonte shkeleshko: unë jo! Ndruhesha nga ty, miku im! Mamatë ngazëllejnë për bijtë edhe për hiçmosgjë. Gratë edhe i mbyllin sytë para dështimeve tona.

Keqbërësi, kurrë!
Tani kur i futem një pune, unë nuk bëj asgjë pa menduar edhe për ty. E mirë apo e keqe, kjo tashmë m’u bë edukatë. Ndaj më vjen të ulurij, kur qëllon të shoh ndonjë qënie të humbur, me mjekrrën shtatë ditë pa rruar, teksa ka kallur veten në ndonjë vrimë, ka vënë gotën përpara dhe ka flakur tej çdo gjë që e rrëmbente më parë, tani, me duar përpjetë, ndaj të keqes që i ke bërë ti apo soji yt. Më vjen ta përfshij nga gjoksi e t’i them:

“Hajde, mjaft u qurravitët ju, bastardë të përkëdhelur e të neveritshëm! U dorëzuat kaqë shpejt?! Ja, i shkrepi dhe i ndezi keqbërësit, e pastaj? Ja rendët nëpër gjyqe e zyra, nëpër shokë e nëpër fis e nuk provuat dot se po ju bien në qafë, e pastaj? Ruajuni more nga dëshpërimi, se do t’ju zbruqë, do t’ju thartojë e do t’ju bëjë që t’ju vijë era kërmë! Jeta është e gjatë, por ju e paskeni çapin të vogël!”

E vërtet… Ja, unë jetoj dhe hera herës mendja më vete tek ty, keqbërësi im. Në jetë ka vend për të dy ne. Ne kuptohemi e kemi bashkëjetesë të hershme. Edhe sado e çuditëshme të duket, prapëseprapë, sa herë që mua më venë punët mbarë, më vjen të marr një letër e të të shkruaj me gërma të mëdha:
” I dashur keqbërësi im!…”
1985.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button