AKTUALITETTOP-NEWS

Qëndroi për orë të tëra i rrethuar nga RENEA, vret veten autori i ngjarjes së rëndë në Roskovec

Ka marrë një tjetër kthesë tragjike ngjarja e rëndë e ndodhur në Roskovec. Refit (Nertil) Buzi, 35 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së ish-vjehrrit të tij dhe plagosjes së ish-vjehrrës, dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri pas disa orësh negociatash me forcat e Policisë së Shtetit.

35-vjeçari ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar brenda automjetit të tij. Gjatë gjithë operacionit, negociatorët e policisë tentuan në mënyrë të vazhdueshme ta bindnin që të dorëzohej, por pa sukses.

Sipas të dhënave paraprake, më herët gjatë ditës, Buzi dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, si dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. Kjo e fundit u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë.

Pas dyshimeve se 35-vjeçari kishte qëlluar veten, pranë automjetit u afruan autoambulanca dhe forca të shumta policie për të ndërhyrë. Autoritetet pritet të konfirmojnë zyrtarisht shkakun e vdekjes dhe të japin detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, pas përfundimit të veprimeve hetimore në terren.

Roskovec, Fier/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:

Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button